A u pendua Besa që u tërhoq nga ‘Kënga Magjike’? Këngëtarja zbulon vendimin që ka marrë mbi kompeticionet shqiptare

Pak ditë më parë, këngëtarja e njohur e skenës shqiptare, Besa solli projektin e saj më të fundit muzikor të titulluar ‘C’est La Vie’, i cili u mirëprit nga të gjithë ndjekësit. Së fundmi në një intervistë ekskluzive për revistën ‘Class’, këngëtarja ka ndarë detaje rreth këtij projekti, por edhe rreth vendimit të saj për t’u tërhequr nga kompeticioni i festivalit të përvitshëm ‘Kënga Magjike’.

E pyetur nëse është penduar që u tërhoq, Besa u përgjigj: “Asnjë pendesë, përkundrazi! Kam bërë plotësisht atë që kam ndjerë. Në disa aspekte unë jam shumë tradicionale, traditat tona të respektit ndaj katastrofës e humbjes njerëzore janë të rëndësishme për mua. Përpos gjendjes time emocionale e cila nuk ishte më aspak në festival, sikundër edhe unë nuk kisha pse të isha. Ishte momenti që kishin vdekur shumë shqiptarë nën rrënojat e tërmetit, dhe për mua asnjë kompeticion muzikor nuk qëndron mbi këtë”.

Më tej Kokëdhima ka treguar se përveç festivalit të ‘RTSH-së’, pjesëmarrja në të cilin mund të ndodhë në të ardhmen, nuk beson se do të jetë më pjesë e ndonjë kompeticioni muzikor në Shqipëri.