Basha u dërgon dosje ndërkombëtarëve: Si u dënua politikisht Salianji për të shpëtuar trafikanti

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i ka dërguar një letër gjithë ambasadave në vend në lidhje me gjyqin e ish-deputetit të PD-së, Ervin Salianji.

Shkresa e siguruar nga Syri.net është për gjithë ambasadat dhe është shkresë shoqëruese e një dosje voluminoze dhe një DVD me përgjimet zyrtare të prokurorisë.

Në dokumentet e dërguara nga lideri i opozitës tregohen me detaje rrethanat se si u manipulua çështja “Xhafaj-Babale” për të shpëtuar vëllain e ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, ndërsa tregohen edhe se kush janë zyrtarët e lartë të përfshirë në këtë skemë tipike mafioze. 

Në dosje janë bashkangjitur gjithashtu përgjimet e prokurorisë të përkthyera në anglisht, që bëjnë fjalë për pazaret dhe pagesat të drejtuesve të Policisë, me dëshmitarin e rremë të përdorur nga Xhafaj, Fredi Alizoti.

HISTORIA

Përgatitja dhe vënia në zbatim e skemës nis pas publikimit të  përgjimit, ku Albert Veliu i kërkon Agron Xhafajt (të dy të dënuar për trafik droge në Itali në vitin 2012, si pjesë e së njëjtës bandë) mbështetje për t’u rikthyer trafikut në Shqipëri (viti 2018) dhe ky i fundit pranon dhe e përfshin.

Kemi një seri përgjimesh telefonike dhe ambientale mes Xhafajt e Veliut me qëllim një transaksion droge. Albert Veliu i dëshmon gazetarit investigimi Jetmir Olldashi përfshirjen e Agron Xhafajt në trafikun e drogës në Vlorë. Gazetari i kërkon ndihmë deputetit Salianji për të publikuar përgjimin investigimi. Deputeti Salianji denoncon publikisht Agron Xhafajn si të përfshirë në trafikun e drogës në Vlorë. Disa javë pas publikimit të përgjimit, Fredi Alizoti rekrutohet nga Drejtues të Policisë dhe vetë-shpallet i përfshirë në përgjim. Ai vetë-dorëzohet në Polici si mashtrues duke deklaruar se ka luajtur rolin e Agron Xhafajt në përgjimin me Albert Veliun.

SKEMA MAFIOZE POLITIKË-POLICI-DREJTËSI

Kush janë zyrtarët e përfshirë në skemën mafioze?

Politika

Fatmir Xhafaj – Si Kryetar i Komisionit të Reformës në Drejtësi, falsifikon draft ligjin për ekstradimet për të mbrojtur vëllain e tij. Si Ministër i Brendshëm, mbështet aktivitetin kriminal të vëllait (trafik droge) dhe e mbron nga ekstradimi drejt Italisë nga viti   2012 deri në 2018-ën. Manipulon përgjimin ku shfaqet vëllai i tij në pazare droge në vitin 2018, që ta shpëtoje nga një dënim i ri.

Edi Rama –  Mashtron te nesërmen e publikimit te Audio Përgjimit se materiali është një montazh i pavërtetë, me aktorë, sipas një analize të një laboratori të huaj. Kjo analizë nuk u bë kurrë publike.

Taulant Balla – Paraprin deklarimin e sajuar të Alizotit duke i siguruar këtij mbështetje financiare, me qëllim influencimin e opinionin publik.

Dëshmitari i rremë Fredi Alizoti – Deklarohet fajtor dhe si personi qe ka “aktruar” zërin e Agron Xhafaj në përgjim pasi paguhet dhe instruktohet.

Policia

Albert Nushi – Shef i Policisë Fier, bashkëpunon dhe paguan Fredi Alizotin që ky i fundit të vete-shpallet fajtor sikur ka aktruar zërin e Agron Xhafajt në përgjim.

Ardi Veliu – Drejtori i Përgjithshëm i policisë së Shtetit orkestron sajimin e një dëshmitari të rreme, me qellim shpëtimin e vëllait të Ministrit.

Drejtësia

Prokurori Genci Qana – Prokuroria ngre aktakuze vetëm mbi dëshminë e pa-provuar të Fredi Alizotit, duke përjashtuar Agron Xhafajn nga çdo hetim.

Gjyqtari Artan Gjermeni – Gjyqtari Artan Gjermeni refuzon të gjitha provat e paraqitura përfshire përgjimet zyrtare ku Alizoti flet për paratë e marra dhe dënon të pandehurit për mashtrim.

Kryedemokrati Basha shpalos edhe shqetësimin për atë që ndodhi me gjyqin e ish deputetit Ervin Salianji.

“Gjyqi prodhoi shkelje flagrante të ligjit, nga një gjykatës haptas i lidhur me partinë në pushtet duke dënuar përfaqësuesin e PD Ervin Salianji dhe gazetarin investigativ Jetmir Olldashi me akuza absurde për raportime të rreme”, shkruan më tej Basha.

Por cilët janë ministrat, deputetët, kryebashkiakët dhe zyrtarët e mazhorancës të denoncuar publikisht nga ish-deputeti Salianji?

A.R, Syri.net