Turqia dhe Rusia arrijnë armëpushimin në Siri/ Ja kur pritet të hyjë në fuqi

Sipas një deklarate të përbashkët për rezultatin e bisedimeve midis liderëve Vladimir Putin dhe Recep Tayyip Erdogan, Rusia dhe Turqia kanë rënë dakord të vendosin një armëpushim përgjatë gjithë vijës së kontaktit në zonën e de-përshkallëzimit në provincën Idlib të Sirisë, e cila do të hyjë në fuqi në mesnatë.

Lajmi u konfirmua në konferencën për shtyp të mbajtur nga ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov.

“Ata kanë rënë dakord për sa vijon: të përfundojnë armiqësitë përgjatë gjithë vijës së kontaktit në zonën e de-përshkallëzimit në Idlib, duke filluar në 00.01 më 6 mars 2020”, thuhet në deklaratë.

Presidenti rus tha sot se ai është pajtuar me presidentin turk për një dokument të përbashkët për procesin e zgjidhjes së krizës në Siri.

Ai tha se Rusia dhe Turqia kanë arritur një “zgjidhje të pranueshme” të krizës në provincën siriane t ë Idlib.

Duke iu referuar një deklarate të lëshuar nga të dy palët pas bisedimeve, Turqia dhe Rusia kanë rënë dakord të krijojnë një korridor sigurie përgjatë rrugës kryesore të Idlib dhe të kryejnë patrulla të përbashkëta nga 15 mars.

Korridori i sigurisë do të shtrihet gjashtë kilometra në veri dhe gjashtë kilometra në jug të autostradës M4.