Humbje e madhe për Klan Kosovën, dorë(hiqet) Baton Haxhiu

Gazetari dhe analisti nga Kosova, Baton Haxhiu njoftoi një ditë më parë se është larguar nga drejtimi i Klan Kosovës. “Më duhet të lëviz. Drejt një adrese të re, një sfide të tjetër,” shkruan ai.

Por edhe pse Haxhiu thotë se ka dhënë dorëheqjen, dyshimet janë të forta se ai është larguar nga pronarët e TV për shkak të qëndrimeve të tij pro-serbe për ndarjen e Kosovës. Këto qëndrime rriten ndjeshëm dyshimet për rolin dhe marrëdhëniet e tij me qarqet zyrtare të Serbisë.

Baton Haxhiu është akuzuar hapur nga politikanë të njohur në të dy anët e kufirit si agjent i Serbisë. Me sa duket Klan Kosova e ka ndjerë të nevojshme për të distancuar imazhin nga ai i një personi me reputacion të dyshimtë dhe me kredibilitet të rrënuar ne opinionin e Kosovës.

Më herët, mediat në Tiranë patën raportuar se Baton Haxhiu ka ngritur një kompani mediatike në Shqipëri. Ende nuk dihen shumë detaje, por fakt është se ky lajm u publikua në ditën kur Haxhiu dha një intervistë për një televizion në Tiranë. Gjatë kësaj interviste, Haxhiu mbrojti sërish projektin për ndarjen e Kosovës.

Më poshtë mund ta lexoni letrën e Haxhiut:  

Jetën time nuk e paramendoj pa sfida të mëdha.

I kërkoj, por edhe më gjejnë. S’ua kam frikën.

E kam kuptuar moti: sfidat profesionale më mbajnë gjallë në gazetari. Ato u japin energji ditëve të mia të punës, me lumturi dhe mërzi, mirësi e zhgënjime. 

Në gazetë ditore, revistë javore, ose në studio televizive – esenca mbetet e njëjtë. Ta them atë që mendoj se duhet të thuhet, të kërkoj përgjigje, të kontribuoj në sferën publike. Të bashkëpunoj me njerëzit dhe profesionistët më të mirë.

Më shumë se 30 vjet kështu.

Dhe Klan Kosova.

Klan Kosova është pjesa më e bukur e karrierës sime.

Fillime idealiste me paqartësi e pasiguri, duke parë e duke bërë, me pasion, entuziazëm dhe vullnet të pakrahasueshëm me cilindo projekt tjetër medial kosovar në dekadat e fundit.

Energji fantastike e djemve dhe vajzave që u shndërrua në uragan kreativ. Çdo ditë rriteshim dhe ndryshonim për të mirë në hapësira të vogla me shumë ide.

Sot është krejt ndryshe.

Liderizmi i Klan Kosovës në skenën mediale, investimi në gjenerata të reja, ndërtimi i modeleve të reja të gazetarisë dhe stabiliteti i përgjithshëm janë arritje për mburrje dhe krenari. Për mua dhe për të gjithë që kanë qenë pjesë e tij.

Njëkohësisht, janë shenjë e qartë që ky cikël është përmbyllur. Kam arritur në cak.

Më duhet të lëviz. Drejt një adrese të re, një sfide tjetër.

Nuk e kam të lehtë, por e këtillë është jeta ime. Ky jam unë.

Jemi Një.

Përjetësisht.

Me dashuri,

Batoni