Rrëfehet britaniku i parë i prekur nga koronavirusi: Mezi po marr frymë!

Koronavirusi po përhapet me shpejtësi në të gjithë botën, por se si është të prekesh nga virusi vdekjeprurës dhe simtomat e tij, këtë na e shpjegon një 25-vjeçar nga Uellsi, Connor Reed, i njohur ndryshe si britaniku i parë i prekur nga virusi i ri.

Reed ka punuar në një shkollë në Wuhan të Kinës, aty ku edhe është prekur nga ky virus. Gjatë kësaj kohe ai ka mbajtur një ditar ku ka treguar hap pas hapi se çfarë ka ndodhur me të.

Në ditën e 7-të të asaj që ai e mendonte si ftohje, 25-vjeçari shkroi: “Ndihem shumë keq, kjo nuk është thjesht ftohje. Më dhemb gjithë trupi, koka po më plas, sytë më djegin, fyti më është bllokuar. Më mbyti kolla”.

Në ditën e 12-të, britaniku shkroi: “Kur mendoja se më liroi gripi dhe po bëhesha më mirë, sot jam edhe më keq. Kam temperaturë, po dridhem dhe po djersij. Nuk kam qenë kurrë kaq sëmurë në jetën time. Mezi marr frymë”.

Në ditën e 24, i riu më në fund shkruan: “Urra! Më në fund u shërova. Kush e mendonte se një grip mund të ishte kaq i keq”.

Connor Reed theksoi se nuk ka marrë asnjë antibiotik, por vetëm ka pirë lëngje të nxehta gjatë gjithë kohës, duke i besuar mënyrës tradicionale.