‘Bëje me pasion ose mos e bëj fare’/ Statusi i Ibrahimovic mërzit tifozët e Milanit

Ka mjaftuar një postim i Zllatan Ibrahimoviç për të trembur tifozët e Milanit, mbi të ardhmen e suedezit me fanellën kuqezi.

Siç dihet klubi është duke pësuar ndryshime dhe nga posti priten të largohen Boban dhe Maldini, ndërsa pa prekur nuk mbetet as trajneri Stefano Pioli.

Mirëpo, dy njerëzit që patën një rol të madh në rikthimin e 38-vjeçarit në Itali, ishin pikërisht Boban dhe Maldini.

Ndaj, ka bërë zhurmë postimi i Ibrës në Instagram me fjalët: “Bëje me pasion ose mos e bëj fare”.

Duket sikur sulmuesi nuk është aspak i kënaqur nga ndryshimet në klub, ndërsa me Ranjik që pritet të jetë timonieri i ri i skuadrës, Zllatan e ka të qartë se mbetet jashtë projektit dhe humbet rëndësinë e tij.

Ndërkohë, sa i përket kontratës për sezonin e ardhshëm, ajo mbetet të diskutohet në verë.

Mirëpo, Ibra mesa duket ka lënë të kuptohet se tashmë nuk është më aq i sigurt për të ardhmen si kuqezi.

Një lajm që mërzit tifozerinë e Milanit, të cilët me ardhjen e Ibrës panë një ndryshim pozitiv në skuadër.