Shqipëria do presë 30 mijë refugjatë, Gjermania nuk pranon as 5 mijë

Një ditë më parë, televizioni pranë qeverisë, Top Channel raportoi se pritet të ngrihen gjashtë qendra pritëse për refugjatët që vijnë kryesisht nga Siria.

Sic bëjnë me dije burime e sigurta të Top Channel, Emergjencat, Policia e Shtetit, Ministria e shëndetësisë dhe Ministria e Mbrojtjes po ndajnë detyrat në rast se ndodh që Shqipëria  të përballet me fluksin e refugjatëve sirianë të ardhur nga Greqia. Opsioni për qendrat pritëse mund të jenë sipas burimeve në Elbasan, Gjirokastër, Korçë por edhe në Lezhë.

Paraprakisht është llogaritur që kapaciteti pritës në gjashtë qendra të jetë për rreth 30 mijë refugjatë, raporton TCH.

Por teksa Shqipëria zotohet për të pritur kaq shumë refugjatë, në një përpjekje të qeverisë së Edi Ramës për të mikluar BE-në dhe për të hequr vëmendjen nga skandalet qeveritare me këtë çështje, shumica e refugjatëve kanë vetëm një synim: ata duan të shkojnë në Gjermani, shkruan gazeta gjermane BILD.

Sipas kësaj gazete, parlamenti federal ka rrëzuar një propozim për të marrë 5 mijë refugjatë nga Greqia. Edhe pse SPD ka dalë pro këtij propozimi, deputetët e tjerë kanë qenë kundër. Me 495 vota, propozimi është rrëzuar.

Bashkimi Europian është zotuar se do të ofrojë ndihmë financiare për vendet e prekura nga kriza e krijuar prej vërshimit të refugjatëve.