Rasti më 24 janar/ Zbulohet evropiani i parë me koronavirus

Një burrë 33 vjeç, gjerman, mund të jetë evropiani i parë që ka marrë infeksionin e koronavirusit të ri dhe e ka transmetuar. Kështu thuhet në një studim të mjekëve gjermanë, publikuar në revistën ‘New England Journal of Medicine’.

Burri kishte shfaqur simptoma respiratore dhe temperaturë të lartë më 25 janar. Simptomat e tij u përmirësuan më 27 janar dhe ai u kthye në punë.

Më 20 dhe 21 janar, ai kishte marrë pjesë në një takim ku ishte edhe një kolege nga Shangai, e cila qëndroi në Gjermani nga 19 deri më 22 janar, pa shfaqur asnjë problem mjekësor. Por gruaja nisi të ndihej keq gjatë fluturimit të kthimit për në Kinë, ku u diagnostikua pozitive për koronavirusin më 26 janar.

Më 27 janar ajo informoi kolegët e saj gjermanë dhe në Gjermani nisën testimet mbi ata që kishte takuar ajo. Mes tyre edhe 33-vjeçari, që tani nuk kishte më simptoma.

Më 28 janar u gjetën pozitivë edhe tre të punësuar të tjerë në kompani.

Autorët e studimit thonë se është për t’u theksuar se virusi është transmetuar edhe gjatë kohës së inkubacionit, kur simptomat ishin të lehtë dhe jospecifike. Për më tepër, ata thonë se virusi gjendej në sasi të konsiderueshme në pështymën e pacientit gjerman, edhe pasi atij i kishin ikur simptomat.

Pikërisht këto janë arsyet se përse mjekët thonë se ky virus është i rrezikshëm dhe mund të përhapet në fshehtësi dhe me shpejtësi.