Joshja e rrezikshme e refugjatëve drejt Shqipërisë, prej Rilindjes

Nga Tritan Shehu.

Greqia, me gjithë përballjen me atë valë refugjatësh, që e ka kthyer në barrierën e parë në mbrojtje të kufijve të Evropës, është një vend demokratik e i konsoliduar, për t’i bërë ballë këtij problemi të madh.

Pa dyshim, në këto momente ajo nuk duhet lënë vetëm, duke u rrethuar me një mbështetje konkrete e deri në një solidaritet të plotë.
Por rreziku më i madh na kërcënon ne për disa arsye:

Boshatisja e qëllimshme e Shqipërisë nga Rilindja ka krijuar një vakum shumë të rrezikshëm, keqdashës e antishqiptar këtu, të inspiruar nga ata që duan ta shohin vendin tonë larg Perëndimit, e realizuar nga kjo qeverisje.

Përpjekjet tashmë aktive që po bëhen prej Tiranës për t’i joshur ata refugjatë për t’u drejtuar drejt Shqipërisë, janë të lidhura edhe me interesa të grupeve kriminale të trafikut njerëzor drejt Italisë, në bashkëpunim këto me institucionet tona, njëlloj siç ndodhi në trafiqet deri më 2005-ën, gjatë kanabizimit të vendit, si po ndodh prej muajsh në formë “prove”.

Përpjekjet e kësaj qeverie për të fshehur këto qëllime ogurzeza mbas gjoja gatishmërisë në ndihmë të Evropës, janë veçse një “gjethe fiku”, që kërkohet t'i vihet së vërtetës, një "makjazh" mbi realitetin tonë.

Tërheqja e refugjatëve drejt Shqipërisë, siç po kërkon t’i joshë kjo qeveri, do të thotë t’i devijosh ata nga shtegtimi natyral i tyre për në Evropën veriore, për t’i drejtuar drejt Italisë e përdorur si plaçkë e trafikantëve të Adriatikut dhe të bashkëpunëtorëve të tyre.