Balla: PD u kthye në shtojcë të Metës/ Bardhi: Ti je skllav i krimit

Kreu i grupit parlamentar në PS, Taulant Balla, deklaroi sot në Kuvend se PD ka përfunduar në shtojcën e Ilir Metës. Sipas tij, Ilir Meta dhe përfaqësuesit e opozitës po lobojnë kundër hapjes së negociatave me Bashkimin Europian.

Kjo ishte akuza që drejtoi sot nga foltorja e Kuvendit kreu i grupit kuvendor socialist, Taulant Balla. Qëndrimin e tij, Balla e argumentoi me vetë rrëfimin që kishte marrë nga krerët e diplomacisë së 4 vendeve të Bashkimit Europian.

“Bashkë me kolegët e opozitës parlamentare jemi ndjerë të trishtuar nga qasja që Presidenti një orë para takimit me ne kishte pasur me 4 krerët e diplomacive. A thua kishin takuar Presidentin e një vendi kundërshtar me Shqipërinë. Një President që kishte hedhur vrer mbi Shqipërinë. Unë e kuptoj strategjinë politike të gjithëkujt, por duhet të kemi qasje që shpreh dashuri për vendin tonë. Si me lloj-lloj letrash drejtuar presidentëve apo kryeministrave të vendeve të BE, Ilir Meta bashkë me ndonjë faktor tjetër të opozitës, e më vjen keq si përfundoi PD të jetë shtojcë e Metës, ka një përpjekje për të dëmtuar vlerësimin që dha KE të hënën dhe që ne mezi presim që më 26-27-28 mars të marrim një lajm pozitiv”, u shpreh Balla.

I menjëhershëm reagimi nga Partia Demokratike, me anë të Sekretarit të Përgjithshë, Gazment Bardhi: “Taulant Balla është mësuar të jetë shtojcë e krimit, përmes të cilit ka vënë pasuri të paligjshme. Ai as nuk mund ta kuptojë, as nuk mund ta pranojë që ne, qytetarët e lirë të këtij vendi, të bëjmë çdo sakrificë për mbrojtjen e Kushtetutës. Skllavi i krimit, që nisi karrierën politike i sponsorizuar nga trafikantë droge dhe e vazhdon si i tillë, është i dështuar në diversionin e tij banal. Është detyra jonë që, si europianë të vërtetë, të mos heqim dorë nga mbrojtja e të drejtave themelore dhe nga mbrojtja e Kushtetutës”.