Erling Haland mund të luajë në Spanjë, i ati planifikon të ardhmen e sulmuesit

Alf-Inxh Haland, menaxheri dhe njëkohësisht i ati sulmuesit që po i befason të gjithë me paraqitjet e tij, Erling Haland, gjykon se të birit 19-vjeçar do t’i bënte shumë punë transferimi në kampionatin spanjoll.

Ish-futbollisti i Manchester Cityt dhe i Tottenhamit vlerësoi maksimalisht kampionatin spanjoll dhe se do të dëshironte që i biri, sulmues i Borusia Dortmundit, të luante një ditë në La Liga.

“Kemi qenë të lidhur nga më shumë se 100 ekipe, por është e vërtetë që Spanja është një kampionat shumë i mirë për tim bir, sepse ka ekipe të mëdha”, deklaroi Alf Haland.

Kaq ka mjaftuar për të ndezur thashethemet se 19-vjeçari mund të planifikojë një kalim në të ardhmen te Real Madridi, një prej skuadrave më të interesuara për talentin norvegjez.

Që nga transferimi te Borusia Dortmundi në muajin janar, Haland ka shënuar 12 gola në 9 ndeshje duke u renditur jo vetëm ndër sulmuesit më cilësorë në Europë, por shihet si njëri prej yjeve të ardhshëm të futbollit.