Gattuso ka fituar besimin te Napoli, pritet rinovimi i kontratës

Rikuperimi i shpejtë në renditje në vendin e gjashtë në kampionatin italian, barazimi me Barcelonën në takimin e parë të fazës së 1/16-ave të Ligës së Kampioneve dhe të qenit me një këmbë në finalen e Kupës së Italisë kanë shtuar zërat në Itali se trajneri i Napolit, Genaro Gattuso, është pranë rinovimit të kontratës me klubin e kaltër.

“Gazzetta dello Sport” aludon nga disa zëra brenda klubit italian se ish-tekniku i Milanit ka fituar besimi e drejtuesve për të qenë “timonier” i skuadrës edhe për sezonin e ardhshëm.

“Opinioni për trajnerin mund të bëhet vendimtar në momentin kur rinovimi i kontratës së tij do të bëhet zyrtar. Për momentin, thashethemet po dalin dhe pretendojnë se një takim emergjent me presidentin do të mbahet për të konfirmuar trajnerin edhe për sezonin tjetër”, shkruan media e njohur italiane, “Gazzetta dello Sport”.

Gattuso ka fituar mbështetjen e tifozëve dhe të skuadrës napolitane.

Mes lojtarëve që e mbështesin është edhe kapiteni i Shqipërisë, Elseid Hysaj, i cili është kthyer në titullar të padiskutueshëm me ekipin e kaltër.