VIDEO/ Dalin pamjet e momentit kur Ronaldinho arrestohet në Paraguai

Legjenda braziliane Ronaldinho është arrestuar në Paraguai, për shkak se dyshohet se ka përdorur dokumente false për të hyrë në vendin e Amerikës Jugore.

39-vjeçari u kap në kazinonë “Resort Yacht & Golf Club Paraguayo” bashkë më vëllain e tij, Roberto.

Sipas gazetës paraguaiane “La Nacion”, në hotelin ku po qëndronin ata janë gjetur pasaporta që mbanin emrat e Ronaldinhos dhe Robertos me shtetësi paraguaiane.

Të dy vëllezërit janë duke u mbajtur në suitën e hotelit, teksa momentin e ndalimit mund ta shihni në videon më poshtë.

Policia paraguaiane tha në një komunikatë për mediat se Ronaldinho dhe vëllai i tij ishin ftuar në Paraguai nga pronari i kazinosë, Nelson Belotti.

Ronaldinho është momentalisht pa pasaportë braziliane, për shkak të një gjobe të marrë në vitin 2018. 

Ish-ylli i Barcelonës dhe vëllai i tij u dënuan për ndërtim të jashtëligjshëm të një zone peshkimi në liqenin Guaiba në vitin 2015 pa licencën e duhur.

Gjykata iu caktoi atyre gjobë në vlerë 8.5 milionë dollarë në nëntor të vitit 2018 dhe pasi dështuan ta paguanin atë, Gjykata Supreme e Brazilit vendosi t’ia ndalojë Ronaldinhos largimin nga vendi.