Dule: Presidenti duhej ta kishte shpërndarë me kohë parlamentin

Duke folur për krizën politike në vend, ish-deputeti Vangjel Dule tha se Presidenti Meta ka të drejtë ta shpërndajë Parlamenti, madje është i vonuar për këtë.

Sipas kreut të PBDNJ-së Presidenti kishte të gjithë tagrin ligjor e Kushtetues që ta shpërndante Parlamentin që në maj të vitit 2019, kur, pasi shteruan listat plotësuese, Parlamenti mbeti me 122 deputetë, dhe jo 140 sa e parashikon Kushtetuta.

I pyetur nga gazetari Endri Xhafo se ç’ndodh në rastin kur situata mund të përsëritet kur opozita aktuale të jetë në pushtet, dhe Parlamentit t’i mungojë sikur vetëm 1 deputet i vetëm, në një qark të vogël si Kukësi, Dule tha se në një rast të tillë sistemi lejon përsëritjen e pjesshme të zgjedhjeve në atë qark.

Pyetjes së Xhafos se, a mund të ishte bërë kjo edhe në situatën aktuale, kur Parlamenti është me 122 deputetë, Vangjel Dule tha se po, por situata aktuale është pasojë e një krize më të thellë politike, që kërkon, sipas tij, zgjidhje politike. Dhe kjo zgjidhje, janë zgjedhjet e parakohshme.

Duke iu rikthyer vendimit për të braktisur Parlamentin 1 vit më parë, Vangjel Dule tha fillimisht se ky ishte një gabim.

Por më vonë, gjatë intervistës, kur gazetari Xhafo i kujtoi se nuk mund të ishte edhe “gabim” edhe “i justifikuar për kushtet kur u morr”, kreu i PBDNJ-së iu rikthye deklaratës së vet duke thënë se qëndrimi i tij përfundimtar ishte që opozita nuk mund të bëhej fasadë e mazhorancës.