Koronavirusi/ 107 viktima në Itali, vendi mund të ndalojë puthjet

Italia do të mbyllë shkollat dhe universitetet në një përpjekje për të ndaluar përhapjen e koronavirusit. Po sot u bë e ditur se sëmundja ka shkaktuar 107 viktima në vend. Numri i të prekurve ka shkuar mbi 2500.

Edhe pse numri i viktimave nga koronavirusi ka shkuar në 107, lajmi i mirë vjen nga Italia për numrin e të shëruarve, i cili është rritur ndjeshëm. Shefi i Mbrojtjes Civile, Angelo Borrelli, ka bërë të ditur se vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 116 persona, duke e çuar në 276 numrin total të të shëruarve.

Qeveria italiane ka në plan të ndëmarrë të tjera masa për të luftuar koronavirusin. Sipas agjencisë ANSA, qeveria do të këshillojë njerëzit të mos puthen, të mos përqafohen dhe të mos shtrëngojnë duart. Italianëve u është kërkuar të ndryshojnë stilin e jetesës të paktën për 30 ditë.

Sipas rregullores së re, njerëzit nuk duhet të qëndrojnë në afër se një metër me njëri-tjetrin. Po ashtu këshillohet që kjo distancë të ruhet edhe në ambiente të brendshme.

Italia është vendi më i goditur nga sëmundja në Europë. Qeveria synon, gjithashtu, të fuqizojë sistemin shëndetësor me një rritje prej 50 përqind të shtretërve në terapi intensive, ku po ndihet edhe më shumë emergjenca e koronavirusit.