‘Nuk morëm atë që dëshironim’, flet Shehi: Gjashtë pikë ndoshta janë shumë, por...

Kukësi barazoi pa gola në “Elbasan Arena” ndaj Vllaznisë. Një debutim jo fort i mirë për trajnerin Orges Shehi, i cili në një pronocim për “SuperSport” u shpreh:

“Nuk morëm atë që dëshironim. E dinim shkallën e vështirësisë dhe problemet. Nga dëshira e madhe për të fituar ishim pak të zhbalancuar. Na u dha rasti në fund. Nuk arritëm të finalizonim. Ky është futbolli nuk ke çfarë bën.

Nuk dua të bëj qaramanin që mungonin shumë lojtarë. Mungonte Rroca, Ethemi, Musolli. Futëm Abazajn me një këmbë. Nuk kishim alternativa. Bëmë disa arnime. Kjo na solli vështirësi edhe në ndërtimin e lojës.  Po të mungojë zemra e mesfushës, është e vështirë.

Diferenca u thellua, por ne kurrë nuk do të dorëzohemi. 6 pikë ndoshta janë shumë, por janë dhe pak, duke ditur që ka edhe shumë javë. Do të tentojmë deri në fund. Gjatë këtyre ditëve kam problem dëmtimin e Shkurtajt, kam frikë se do të mungojë shumë javë.

Kur mbaron kampionati bëhen vlerësime për gjithsecilin. I takon presidentit që të bëjë vlerësimin. Në këto javë do të jap 200% përqindëshin, ti kthej mentalitetin fitues skuadrës, që është shumë e ngarkuar psikologjisht”, u shpreh Shehi.