Festim Isufi, dizajneri i parë shqiptar që prezanton koleksionin në Javën e Modës në Paris

Festim Isufi është dizajneri i parë shqiptar që prezantoi koleksionin e tij prej 20 veshjeve “Haute Couture” në Javën e Modës në Paris, në Ritz Paris, në shtëpinë e Coco Chanel, ku kanë prezantuar koleksionet e tyre dizajneret me të famshëm botëror.

Frymëzuar nga perëndimi i diellit, Festimi solli ngjyrat e bukura të qiellit në koleksionin e tij të punuar e qëndisur me dorë, pasion e dashuri, në copa te veçanta e në modele unike, që fasionuan të ftuarit e mbrëmjen e 29 shkurtit në zemër të Parisit.

Sfilata u përmbyll me fustanin magjepsës te nusërisë nën tingujt e këngës Baresha në kujtim të ikonës së muzikës sonë, Nexhmije Pagarusha, këngë kjo që emocionoi dhe çoi në këmbë të gjithë të pranishmit e huaj dhe shqiptarë.

Përveç fashionistëve të huaj, në sfilatën e Festim Isufit ishte edhe Armina Mevlani, Agnesa Vuthaj dhe Orinda Huta, e cila ka përgatitur një speciale për ‘Jo Vetëm Modë’ për prezantimin e dizajnerit të parë shqiptar në Javën e Modës në Paris!

Për të përkrahur këtë ngjarje te rëndësishme i pranishëm ishte edhe Ambasadori i Kosovës në Francë, Z.Qendrim Gashi dhe Znj. Jeta Abazi Gashi.

Mediat e huaja ishin të impresionuar nga dizajneri i ri me një talent të jashtëzakonshëm, i cili me koleksionin e tij solli edhe një herë Kosovën në qendër të medieve te huaja, duke promovuar artin kosovar ndërkombëtarisht!