90 vite Futboll Klub 'Kukësi'/ Historia e themelimit dhe ekipi sot

Sot shënohen plot 90 vite nga themelimi i Klubit të Futbollit Kukësi.

Klubi u themelua më 4 mars 1930 në Kukës me emrin ‘Shoqëria Sportive Kosova’, duke u bërë i njohur në Shqipëri. Klubi u bë fillimisht nga të rinjtë e Lumës, Hasit dhe nga goranët e Shishtavecit, që konkurruan në sporte si atletika dhe mundja së bashku me futbollin.

Ndeshja e parë në historinë e klubit ishte më 20 prill 1930 kundër Internati Krumë, e cila u mbyll në barazimin 0-0. Më 13 korrik klubi humbi për herë të parë në historinë e saj kundër Dibër në Peshkopi, me sfiduesit që fituan 4-1.

Në gusht 1931 skuadra konkurroi në një turneun lokal ku merrnin pjesë Kallabaku (Borje), Shkëlzeni (Tropojë) dhe Internati Krumë, dhe skuadra të tjera ushtarake. Me themelimin e Federatës Shqiptare të Futbollit në vitin 1932, Shoqëria Sportive Kosova u regjistrua nën emrin Sport Klub Kosova.

Megjithatë, klubi nuk mori pjesë në asnjë kampionat të organizuar në atë kohë. Në vitin 1949, pas mbylljes së Luftës së Dytë Botërore, Federata Shqiptare e Futbollit vazhdoi kampionatin e saj. Në vitin 1953, Shoqëria Sportive Kosova mori pjesë për herë të parë në një kampionat kombëtar, duke konkurruar në Kategorinë e Tretë.

Në vitin 1958 klubi u ngjit për herë të parë në Kategorinë e Dytë, dhe ndryshuan emrin e tyre duke e bërë Klubi Sportiv Përparimi në të njëjtën kohë.

Trofeu i parë madhor i klubit erdhi në vitin 1967, duke fituar Kategorinë e Tretë dhe duke u ngjitur sërisht në Kategorinë e Dytë. Ata qëndruan në atë ligë për një dekadë deri në vitin 1977, ku ata fituan titullin e Kategorisë së Dytë, arritja më e madhe e klubit që nga themelimi në vitin 1930. Pavarësisht se ranë shpejtë, ata u ngjitën sërisht në Kategorinë e Dytë.

Shumë veta i konsiderojnë vitet 70' dhe 80' si epokën e artë të klubit.

Me rënien e komunizmit në Shqipëri në vitin 1991, klubi përjetoi probleme të mëdha financiare duke u mbështetur në fondet e shtetit për të drejtuar klubin për vite të tjera. Bashkia e Kukësit sëbashku me një bisnezmen lokal filluan të financonin klubin pas fundit të regjimit komunist në Shqipëri, por për shkak të mungesës së fondeve klubi nuk përjetoi ndonjë sukses për gati dy dekada pas rënies së komunizmit.

Sezoni 2012 - 2013

Në debutimin e tij të parë në Superligë, në sezonin futbollistik 2012-2013, ekipi i Kukësit arriti rezultate mjaft të mira duke u shpallur nënkampion i Shqipërisë dhe duke dalë në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë. Në fushën e tij ekipi nuk u mund asnjëherë. Ekipi i drejtuar nga Armando Cungu, dhe i mbështetur fuqimisht nga Presidenti Gjici tejkaloi çdo parashikim dhe shkoi deri në play-off në Europa Ligë. Kukësi do të thyente dhe rekordin e Flamurtarit të Vlorës, vendosur në vitin 1988-89, kur pati prekur dhe turin e tretë të Kupës EUFA.

Në turin e parë Kukësi eliminoi F.C. ‘FLORA’ të Tallin, të Estonisë me rezultatet 1-1 në Tallin me 4 korrik 2013, dhe duke barazuar 0-0 të po atij muaji në Tiranë. Për Kukësin në Estoni shënoi Progni.

Në turin e dytë kuksianët vihen përballë F.K. ‘Sarajevo’. Në ndeshjen parë, luajtur në Tiranë më 18 korrik 2013, Kukësi fitoi 3-2 me gola të shënuar nga Popoviç, Malakarne dhe Allmuça. Në ndeshjen e kthimit më 25 korrik në Sarajevë, kuksianët barazojnë 0-0, ku spikati portjeri Argent Halili që priti dhe një penallti.

Turi i tretë do t’i vinte kuksianët përballë ‘Metalurgut’ Donetsk, të Ukrainës. Ylli Hoxha dhe Renato Malota shënuan në ndeshjen e parë në Tiranë më 1 gusht 2013, ndërkohë që një javë më pas më 8 gusht në Donetsk, rezultati 1-0 për vendasit u dha të drejtën e kualifikimit kuksianëve.

Play-off, i rezervoi Kukësit përballë një kundërshtar të vështirë, Tabzonsporin e Turqisë. Kukësi humbi ndeshjen e parë në Tiranë më 22 gusht me rezultatin 2-0, ndërkohë që në ndeshjen e kthimit më 29 gusht 2013, humbi sërish me rezultatin 3-1. Për Kuksianët, që bënë një paraqitje dinjitoze shënoi Popoviç.

Sezoni 2013 - 2014

Edhe ky sezon do të cilësohet si mjaft i suksesshëm edhe pse ekipi nuk mori titullin kampion, apo kupën e Shqipërisë, që ishin objektiva madhorë të tij. Kukësi u rendit i dyti në tabelën e klasifikimit më 57 pikë, pas Skënderbeut kampion. Ekipi në Superligën me tre faza arriti 16 fitore, 9 barazime dhe 8 humbje, me 46 gola të shënuar dhe me 34 të pësuar.

Pas përfundimit të sezonit futbollistik 2013-2014, Kukësi u bë pjesëmarrës për të dytën herë radhazi në Europa Ligë. Shorti këtë herë e vuri përballë një kundërshtari të fortë dhe të largët siç ishte Kairat , Almaty (Kazakistan).

Në ndeshjen e parë zhvilluar më 3 korrik 2014,në Kazakistan, Kukësi humbi 1-0, me një gol në minutën e 90-të, ndërkohë që një javë më vonë në Tiranë, ndeshja e kthimit u mbyll 1-1, rezultat që ndërpreu udhëtimin europian të Kukësit.

Sezoni 2014 - 2015

Fundi i sezonit futbollistik 2014-2015 edhe pse cilësohet si i suksesshëm, nuk solli përmbushjen e dy objektivave madhorë tek F.K. Kukësi, siç ishin marrja e titullit kampion dhe kupa e Shqipërisë. Ekipi u rendit sërish në vendin e dytë si nënkampion i vendit për të tretën herë radhazi, duke grumbuluar 75 pikë, me 59 gola të shënuar dhe 27 të pësuar. Në 36 ndeshje të zhvilluara, ekipi mori 23 fitore, 6 barazime dhe 7 humbje.

Sulmuesi i Kukësit Pero Pejiç, u shpall fitues i ‘Këpucës së Artë’, me 31 gola në Superligë dhe 5 në Kupë. Kukësi në këtë edicion ishte dhe ekipi që shënoi më shumë gola.

Edhe në Kupën e Shqipërisë, Kukësi bëri prezantim dinjitoz duke arritur deri në finale me Laçin,  finale që e humbi me rezultatin 2-1. Finalja e kompeticionit 2014-2015, ishte e dyta finale e humbur, pasi një vit më parë Kukësi e kishte humbur kupën me Flamurtarin.

Gjatë edicionit 2014-2015, u renditën në vende të dyta në Kategorinë e Parë edhe ekipet zinxhir U-17 dhe U-19.

Sezoni 2015 - 2016

Në sezonin futbollistik 2015-2016 F.K. KUKËSI, siguroi pjesëmarrjen në Europa Ligë edhe nëpërmjet renditjes në kampionatit edhe nëpërmjet fitimit të kupës së Shqipërisë.

F.K. Kukësi fitoi për herë të parë një trofe. Kupa e Shqipërisë shkoi në Kukës, pasi ekipi përshkroi një rrugë të suksesshme drejt këtij trofeu. Përgjatë garës Kukësi eliminoi Naftëtarin, Ilirinë, Flamurtarin dhe Teutën. Në ndeshjen finale, të zhvilluar në stadiumin kombëtar ‘Qemal Stafa’, në Tiranë më 22 maj 2016, Kukësi fitoi me penallti ndaj Lacit 5-3, pasi loja e rregullt dhe shtesa përfundoi 1-1.

Për herë të parë, me insistimin e F.K. Kukësit, FSHF-ja solli arbitra të huaj me stemë të FIFA-s që të arbitrojnë sa më drejt këtë finale shumë të rëndësishme. Treshja italiane e përbërë nga Marco Guida kryesor, me ndihmesa: Lorenco Manganelli dhe Alesandro Costanzo, të ndihmuar dhe nga arbitri i katërt shqiptar Enea Jorgji dhe vëzhgues Sokol Jareci, treguan nivel të lartë në administrimin e ndeshjes.

Tre ditë më vonë në sheshin ‘Skënderbej’ në Kukës, u organizua një festë madhështore për fitimin e trofeut. Këtë manifestim dhe këtë trofe Kukësi nuk e kishte parë asnjëherë, por vetëm e kishte ëndërruar. Presidenti Safet Gjici me mbështetjen e pakufishme që i dha ekipit dhe i vetëm në financim për të gjithë veprimtaritë, mundësoi këto rezultate dhe nivele të larta në futbollin e Kukësit.

Ndërsa në Superligë ekipi u rendit i treti. Në 36 ndeshje të zhvilluara mori 63 pikë duke siguruar 1.75 pikë për ndeshje, me golavarazh të përgjithshëm 41 gola të shënuar dhe 25 të pësuar, 1.53 gola të shënuar në një ndeshje dhe gati dy herë më pak të pësuar. Në total Kukësi siguroi 18 fitore, 9 barazime dhe 9 humbje. Jashtë fushe Kukësi siguroi 5 fitore, 7 barazime dhe 6 humbje. Brenda në fushën e vet ekipi mori 13 fitore, 2 barazime dhe 3 humbje. Golashënuesi më i mirë i ekipit u shpall Izair Emini me 10 gola, ndërkohë që Mateus Lima mbeti në kuotën e 7 golave.

Suksese dhe kupa në përfundim të sezonit 2015-2016, morën edhe ekipet U-17 dhe U-19, që u shpallën kampionë në kategoritë e parë dhe sezonin e ardhshëm do jenë pjesë e Superligës Shqiptare për të rinjtë.

Ndërsa ekipi Kukësi B, u shpall kampion që në debutimin e parë në ligën amatore dhe në sezonin e ardhshëm do jetë pjesë e kategorisë së dytë.

Infrastruktura

F.K. Kukësi, trashëgonte një infrastrukturë të rrënuar, por me daljen në Superligë u modernizua tërësisht ajo. U ngrit në një kohë rekord stadiumi ‘Zeqir Ymeri’, me 5 mijë vende dhe më elementët e duhur për zhvillimin e garave kombëtare.

Ekipi i zhvillon ndeshjet në këtë stadium, ku ka dhe vendet e duhura për tribunën vip, gazetarët, dhomat e zhveshjes për ekipet, për arbitrat, si dhe gjithë mjediset e duhura për funksionimin e klubit. Stadiumi ka edhe vendet e përshtatshme për reklama.

Të gjitha ndeshjet që zhvillon Kukësi brenda dhe jashtë vendit janë në transmetim të drejtpërdrejtë dhe në paketat satelitore.

Stema e KS Përparimi i Kukësit në vitet 1958-1992, përmbante një top të stilizuar në formë luleje bardhë e zi, dhe në mes një yll me ngjyrë të gjelbërt brenda, kurse në pjesën e jashtme me ngjyrë të verdhë. Sipër shkruhej PERPARIMI kurse poshtë shkruhej KUKES. Stema ishte në formë rrethore. Këto ngjyra do të ngeleshin ngjyrat kryesore të ekipit deri në vitin 2010.

Stema e KF Përparimi i Kukësit në vitet 1992-2010, përmbante një top të bardhë me vija lejla, me shkronjën K, të vendosur mbi të që nënkuptonte Kukës. Sipër ishte i shkruajtur emri i ekipit.

Stema aktuale ka ngjyrat bardhë e blu, me një shqiponjë të zezë që ka në këmbët e veta një top futbolli.

Sipër me shkronja të vogla është shkruajtur emri i ekipit. Poshtë është viti i themelimit të Shoqërisë Sportive Kosova. Shqiponja në stemë, ka bërë që ekipi të marrë nofkën ‘Shqiponjat e Veriut’. Ngjyrat e bluzës janë bardhë e blu.