VIDEO/ Laçi mposht Bylisin dhe i afrohet Europës

Ka përfunduar sfida mes Laçit dhe Bylisit, e vlefshme për javën e 25-të në Kategorinë Superiore.

Kurbinasit arritën të dilnin me tri pikë nga ky takim, pasi i mposhtën ballshiotët me rezultatin 2-1.

Pjesa e parë nisi menjëherë me presionin e vendasve që vendosën në vështirësi mbrojtjen e Bylisit, megjithatë nuk ia gjetën të realizonin.

Me kalimin e minutave, miqtë arritën të baraspeshonin lojën dhe patën mundësitë e tyre. Ndërkohë, fraksioni u parë u karakterizua edhe nga një nervozizëm në fushë teksa u regjistruan disa kartonë të verdhë. Për t’u theksuar edhe një gol i anuluar për Laçin nga Nuazbueze, për shkak së prekjes me dorë të këtij të fundit. Sakaq, fraksioni i dytë i ndeshjes nis me në lajm të keq për Laçin. Kurbinasit humbën për shkak dëmtimi sulmuesin Nuabueze, megjithatë sërish ia dolën të gjenin golin falë Grecës që nuk fali përballë Hidit.

Por, mallakastriotët ditën të reagonin dhe barazuan falë një 11-metërshi të shënuar nga Mozone. Megjithatë, vendasit nuk hoqën dorë dhe 4 minuta para fundit të ndeshjes shënuan përsëri me anë të Donald Rapos, i cili ishte aktivizuar vetëm para pak minutash.

Ndërkaq, në minutat e mbetura pavarësisht përpjekjeve të miqve, rezultati nuk ndryshoi. Tashmë, Laçi ruan vendin e tretë të klasifikimit, ndërsa Bylisi mbetet në vendin e gjashtë me 35 pikë.