Pas fitoret të tretë radhazi, Cungu: Djemtë nuk u dorëzuan, të gjithë gabojmë!

Laçi triumfoi në shtëpi ndaj Bylisit me rezultatin 2-1.

Trajneri i kurbinasve, Armando Cungu e konsideroi një fitore tepër të rëndësishme për skuadrën e tij. Gjatë një prononcimi pas ndeshjes për emisionin “Gol pas Goli”, trajneri i skuadrës bardhezi u shpreh:

“Çdo lojtar gabon. Jemi njerëz, gabimet janë njerëzore. Por kur gabimet bëhen të shpeshta, ka problem. Gjoni i vuan shumë gabimet. Mendova që ta zëvendësoj që mos gabonte sërish, pasi është futbollist që i përjeton gabimet.

Çdo gabim kushton rëndë, mundësitë për rikuperim janë të vogla. Në fushën tonë penalizohesh shumë. Megjithatë punojmë shumë që mos të mbartim tensionin në fushë. Futemi për të luajtur futboll dhe për të bërë gjëra të mira në fushën e lojës. Tensioni nuk të çon askund.

Kampionati vjen duke u ngushtuar. Ka dëmtime, kartona. Kemi pasur më pak sportista në javët e para. Falenderoj djemtë për shpirtin e garës dhe mos dorëzimin. Nuk u dorëzuam pas pësimit të golit. Në fund ia arritëm.

Axhenda e ngjeshur, çështja Gjoni dhe rivaliteti me Bylisin për Europën – Ekipet si Laçi, i penalizon axhenda e ngjeshur. Kemi biseduar edhe drejtuesit. Nuk mund të ndryshohet asgjë. Nuk jemi ne ata që ndryshojmë gjë. Duhet t’i bindemi urdhrave dhe të zbatojmë rregulluat që FSHF ka vendosur.

Sa i përket shiritit, Gjoni ka qenë i dëmtuar, nuk ka ardhur akoma në gjendjen më të mirë. Është tip që mendon më shumë seç duhet dhe e  vuan këtë pjesë. Shiriti i kapitenit rëndon shumë. Duhet të jesh shembull për ekipin. Gjoni ka pasur problematikë psikologjike. I besuam eksperiencës së Ignjatoviç. Është një lider dhe ka aftësinë për të folur në dhomat e zhveshjes. Bylisi meriton komplimente. Edhe pse nuk bën asgjë meriton komplimente. Është ekip shumë i fortë. Ka edhe 11 javë për t’u luajtur. Rëndësi ka 3 pikëshi, se çfarë bën Bylisi, i takon atyre.

Manovrat sulmuese mos ua bëri më të thjeshtë Bylisi? Unë mendoj që ekipi i Bylisit ishte kompakt dhe luftoi shumë. Nuk kishim shumë hapësira për ta ngacmuar. Mund të kenë pasur problematikat e veta për shkak të mungesave. Na i vështirësoi situatën, pas barazimit, kërkuan diçka më tepër. Nëse do të fitonin do t’i uronim komplimente. Nuk ishin lëvizje të gabuara, nganjëherë të japin të drejtë lëvizjet, nganjëherë të penalizojnë, kështu është futbolli”, u shpreh Cungu.