Spanja mbyll dyert e stadiumeve, ndeshjet me ekipet italiane do luhen pa tifozë

Qeveria spanjolle ka vendosur që ndeshjet e kompeticioneve evropiane kundër klubeve italiane që do të zhvillohen në Spanjë të luhen pa praninë e tifozëve, në mënyrë që të mos ketë përhapje më të madhe të koronavirusit.

Italia është prekur nga përhapja e shpejtë e koronavirusit në pjesët veriore të saj dhe ndeshje të shumta janë shtyrë e disa janë vendosur të luhen pa tifozë.

Në Spanjë, tani autoritetet përgjegjëse janë të shqetësuara për tifozët italianë që mund të udhëtojnë në Gadishullin Iberik.

Për këtë arsye, mediat spanjolle raportojnë se tashmë është vendosur që ato ndeshje të zhvillohen pa praninë e tifozëve në stadiume.

“Marca” shkruan se UEFA ka pranuar t’i ndjekë rekomandimet e Ministrit të Shëndetësisë në qeverinë spanjolle, dhe ndeshjet Valencia-Atalanta e Getafe-Inter pritet të zhvillohen me dyer të mbyllura.

Ndërsa, në Ligën e Kampionëve, Barcelona gjithashtu po përgatitet për ta pritur Napolin në “Camp Nou”, ndërsa Roma do të udhëtojë në Sevilla për ndeshjen e Ligës së Evropës.

“Mundo Deportivo” pretendon se dy ndeshjet e lartpërmendura janë në pritje për një vendim, ndërsa “Sport” shkruan se përballja mes Barcelonës dhe Napolit nuk është në rrezik nga koronavirusi.

Megjithatë, në fund mund të vendoset që të gjitha këto ndeshje të zhvillohen pa praninë e tifozëve, në mënyrë që të mos ketë rrezik shtesë nga virusi Covid-19.