Kush është njeriu që po udhëheq betejën kundër koronavirusit

Nga Imogen Foulkes, BBC

Çfarë sfide është që të jesh kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në kohën e koronavirusit.

I gjithë planeti varet në çdo fjalë që thua, duhet të dalësh çdo ditë në konferencë për shtyp në zyrat qendrore në Gjenevë dhe të detajosh numrat në rritje të rasteve në çdo vend.

Kjo është detyra e etiopianit Tedros Adhanom Ghebreyesus, i pari afrikan në krye të OBSH, që e mori detyrën dy vite e gjysmë më parë duke premtuar se do reformonte organizatën dhe se do luftonte sëmundjet që vrasin miliona njerëz çdo vit si malaria, fruthi, pneumonia e fëmijëve dhe HIV/AIDS.

Dhe tani, teksa OBSH po punon fort kundër këtyre sëmundjeve, koha e doktor Tedros në detyrë po dominohet fillimisht nga shpërthimi i Ebolas në Kongo dhe tani koronavirusi.

Të dyja janë shpallur emergjenca publike shëndetësore me shqetësim ndërkombëtar.

Kjo do të thotë se kërkohet 24 orë monitorim, dërgim i ekipeve mjekësore, pajisjeve dhe ilaçeve dhe diskutime të përditshme me vendet e prekura dhe vendet që mund të preken dhe, sigurisht, një sasi e vazhdueshme informacioni të besueshëm për një botë në ankth për përgjigje sa më të shpejta.

‘Sharmant’ dhe ‘i thjeshtë’ janë disa nga fjalët që përdoren për të përshkruar 55-vjeçarin nga njerëzit që e njohin.

Në konferencën e parë për shtyp si drejtor i përgjithshëm i OBSH, gazetarët u habitën disi nga sjellja e tij. Ai ecte duke buzëqeshur, u ul dhe bisedoi me ta në mënyrë të relaksuar, zëri i tij ishte kaq i qetë, sa ndonjëherë mezi e dëgjoje. Ishte një ndryshim i madh në krahasim me paraardhësen e tij më zyrtare, Margaret Chan.

E megjithatë, pas atij toni të qetë qëndron një njeri shumë i vendosur.

Përpara se të bëhej kreu i OBSH ai ngjiti shkallët e qeverisë në Etiopi, duke u bërë fillimisht ministër i shëndetësisë dhe më pas ministër i jashtëm.

Dr. Tedros lindi në vitin 1965 në Asmara, që u bë kryeqytet i Eritreas pas pavarësisë nga Etiopia. Ai u rrit më pas në rajonin verior të Etiopisë, në Tigray.

Një nga eksperiencat më motivuese për të mbetet vdekja e vëllait të vogël, kur ishte katër vjeç. Më vonë si student, Tedros nisi të dyshonte se vëllai kishte vdekur nga fruthi.

“Nuk mund ta pranoja, nuk e pranoj as tani, që një fëmijë të vdesë nga një sëmundje e parandalueshme, vetëm për shkak se ka lindur në vendin e gabuar”.

“Të gjitha rrugët duhet të çojnë në mbulimin universal shëndetësor. Nuk do të pushoj derisa të arrij këtë gjë,” pati deklaruar ai përpara Organizatës Botërore të Shëndetësisë pasi u zgjodh në krye.

Gjatë fushatës së tij efikase dhe të suksesshme për të udhëhequr OBSH-në, mbështetësit e tij hodhën poshtë pretendimet se ai ka mbajtur fshehur shpërthimet e kolerës.

Kjo është arsyeja se përse fjalët ‘bindëse’ dhe ‘politike’ janë fjalë që dalin vazhdimisht kur diskutohet për udhëheqjen e tij të OBSH.

Ai e di se suksesi i OBSH në trajtimin e krizave globale të shëndetit varet nga bashkëpunimi i 194 vendeve anëtare të organizatës.

Gjatë shpërthimit të Ebolas në Kongo, ai udhëtoi vetë disa herë atje, jo vetëm për të parë situatën, por edhe për të folur me drejtuesit qeveritare.

Po ashtu ai nxitoi të vizitonte Pekinin kur doli lajmi për shpërthimin e epidemisë.

"Strategjia e tij është që të bindë Kinën drejt transparencës dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, në vend që të kritikojë qeverinë,” thotë profesori Laërence Gosstin.

Por a ka funksionuar kjo?

Disa vëzhgues të OBSH i kanë kritikuar lavdërimet e tepruara ndaj Kinës për masat që ka marrë.

Pas udhëtimit në Kinë, Tedros tha se Kina kishte vendosur një standard të ri për kontrollin e epidemive.

Këto komente nuk duken mirë duke e ditur se Kina ka arrestuar punonjës të shëndetit që ngritën të parët alarmin për shpërthimin.

Po ashtu ka kritika ndaj tij se vonoi shpalljen e emergjencës globale.

“Isha ndër të parët që kërkova të shpallë emergjencën. Thënë këtë, ishte një vonesë e vogël, e cila nuk besoj se ka pasur ndonjë ndikim në trajektoren e Covid-19. Unë shqetësohem më shumë për lëvdatat e tepruara ndaj Kinës, pasi ato mund të dëmtojnë reputacionin e OBSH si një autoritet i besueshëm shkencor, i gatshëm që të flasë të vërtetën përballë pushtetit”, thotë profesor Gostin.

Por teksa Tedros mundohet të jetë politik, një pjesë e madhe e këtyre përpjekjeve shkon për të siguruar qeveritë autokratike dhe jotransparente që të bashkëpunojnë me OBSH për të trajtuar sëmundjet që kërcënojnë shëndetin global.

Kur bie fjala te perceptimi se si mund të shihen këto përpjekje nga qeveritë në demokracitë perëndimore, aftësitë e tij politike mund të mos jenë aq të mprehta.

Mënjeherë pas marrjes së detyrës, ai propozoi që Robert Mugabe, presidenti i Zimbabve në atë kohë, të shpallej ambasador i vullnetit të mirë në OBSH, duke thënë se ai ka punuar për të bërë Zimbabvet një vend me mbulim universal shëndetësor.

Vetëm pas shpërthimit jo vetëm nga qeveritë, por edhe nga grupet e të drejtave të njeriut, Tedros vendosi të tërheqë propozimin e tij.

Tani, në mes të një shpërthimi të ri global me një virus krejt të ri, gjykimi i tij po vihet sërish në pikëpyetje.

Disa duan që ai të shpallë pandeminë, të tjerë thonë se është vetëm një fjalë dhe se ajo nuk e ndryshon strategjinë e OBSH për të përmirësuar situatën.

Pastaj janë disa virologë dhe epidemiologë që thonë se këshillat e OBSH ndaj vendeve anëtare për të miratuar masa kontrolli agresive janë të dobëta. Të tjerë thonë se OBSH po e tepron me reagimet e saj.

Ne e kemi parë këtë histori edhe më parë. Paraardhësja e tij u kritikua për reagim të tepruar kur shpërtheu gripi i derrit në vitin 2010, pasi ajo shpalli pandeminë dhe këshilloi vendet të shpenzojnë miliona për ilaçe që nuk duheshin.

Pastaj ajo u kritikua se reagoi ngadalë ndaj shpërthimit katastrofik të Ebolës në Afrikën Perëndimore, që vrau të paktën 11 mijë njerëz.

“I mallkuar nëse e bën, i mallkuar edhe nëse nuk e bën”, është një fraze që e dëgjon shpesh në selinë e OBSH.

Profesor Gostin beson se Tedros është bërë simbol i udhëheqjes gjatë kohës së koronavirusit. Por ai paralajmëron se dobësitë e OBSH, përfshi këtu fondet e pakëta, vazhdojnë të mbeten.

Suksesi i zotit Tedros dhe OBSH në tërësi për trajtimin e çështjes së koronavirusit do shihet kur kriza të përfundojë.

Për momentin ai do të vazhdojë që të këshillojë vendet që të jenë të përgatitura për të diagnostikuar dhe gjurmuar rastet.

Çdo ditë ai del në konferencë për shtyp dhe fjalët e tij janë lajm i fundit kudo në botë. Pavarësisht këtij presioni dhe vëmendjes së vazhdueshme mediatike, ai mbetet i qetë dhe miqësor.

Në fund të secilës konferencë për shtyp, ai gjithmonë mbledh letrat dhe thotë të njëjtën fjali dukë buzëqeshur: Shihemi nesër.