Rëndë, avokati në New York me koronavirus ,edhe familja e tij e infektuar

Një sinagogë në New Rochelle dhe një shkollë në Riverdale në Bronx mbyllen përkohësisht nga frika e virusit

Nga Ruben Avxhiu

Një avokat nga Westchester është personi i dytë që del me koronavirus në New York dhe është në gjendje të rëndë. Familjarët e tij mund të jenë gjithashtu të prekur. Një prej tyre është nxënës në një shkollë jeshiva për fëmijet hebrej, në Riverdale Bronx, e cila është mbyllur përkohësisht për të mos përhapur virusin. Një fëmijë tjetër shkon në universitetin jeshiva në Manhattan, po nuk ka qenë në shkollë që prej datës 27 shkurt.

I sëmuri është 50 vjeç dhe jeton në New Rochelle, në veri të qytetit, por punon si avokat në Mesqytetin e Manhattan-it.

Dedektivë nga Departamenti i Shëndetësisë po përpiqen të kontaktojnë me të gjithë të njohurit që janë takuar me ta në mënyrë që të gjithë të marrin masa vetizolimi dhe të testohen.

“Rreziku më i madh nuk është nga ngjitja e sëmundjes në metro, por nga kontaktet më afatgjata. Shtëpia është problemi urgjent për ne tani, jo metroja”, tha kryebashkiaku Bill de Blasio në një konferencë me gazetarë.

I sëmuri nuk ka qenë në vendet e prekura nga virusi, po ka udhëtuar në Florida dhe Izrael. Ende nuk dihet se si e ka marrë virusin.

SAR Academy në Riverdale është shkolla që është mbyllur.

Bashkia ka refuzuar thirrjet deri tani për të mbyllur shkollat në qytet.

Ndërkohë Komisionerja për Shëndetin në Westchester, Dr. Sherlita Amler, ka kërkuar që sinagoga “Temple Young Israel” në New Rochelle të ndërpresë shërbimet masive fetare.

Disa qindra frekuentues të sinagogës, sidomos ata që kanë qenë aty në data 22 dhe 23 shkurt duhet të vetëizolohen.

Edhe dy shkolla të tjera, “Westchester Day School” në Mamaroneck dhe Westchester Torah Academy në White Plains, N.Y janë mbyllur gjithashtu.

Për shkak se i sëmuri në fjalë, nuk e ka ditur se nga se vuante, si dhe nga që ka disa ditë i shtruar në spital, stafi i mjekëve dhe infermierëve që ka ndërvepruar me të gjithashtu është izoluar.

Ndërkohë në Buffalo, dy familje që janë kthyer nga Italia janë vendosur në izolim shtëpiak.

Në mbarë vendin janë të paktën 115 vetë të provuar me koronavirus dhe 9 të vdekur. Të vdekurit janë të gjithë nga shteti Washington.

Në rang botëror, numri i të infektuarëve ka kaluar 90,000 ndërsa ai i të vdekurve mbi 3,100./Marre nga agzeta Illyria