Trajneri i Luftëtarit, Novi: Ndaj Skënderbeut do të tentojmë të fitojmë pikë!

Ndonëse me problem të shumta dhe një organikë të mbushur me djem të rinj, Luftëtari është i vendosur të respektojë deri në fund kampionatin dhe në prag të ndeshjes me Skënderbeun në Korçë, trajneri Neritan Novi tha se janë gati të bëjnë maksimumin.

Sa e rëndësishme është ndeshja e nesërme për Luftëtarin?
Ndeshja e nesërme do të jetë e radhës, ku ne do të shkojmë për të luajtur futboll dhe jo për të kaluar kohën. Ne do të shkojmë për të marrë pikë. Ashtu si Flamurtari shkoi dhe mori pikë ndaj Bylisit, të njëjtën gjë do të mundohemi të bëjmë edhe ne.

Keni shprehur pakënaqësi edhe ndaj gjyqtarëve…
Unë nuk dua të merrem me gjykimet, por një mesazh kam për gjyqtarët: Është gjynah të dënojnë djemtë e Gjirokastrës. Mos na dënojnë ndeshje pas ndeshje, duke na dhënë penallti dhe duke na ndëshkuar.

Cilat janë problematikat që po hasni te Luftëtari?
Në sulm kemi lojtarë pa eksperiencë. Është e vështirë, nuk e gjejmë kollaj rrugën e rrjetës. Do ishte mirë të kishim një lojtar me eksperiencë pasi kemi probleme në fazën ofensive.

Ju kënaq barazimi me Skënderbeun?
Sigurisht që më kënaq. Mbi të gjitha edhe sikur të mos marrim pikë, iu kam thënë çunave të luajnë futboll dhe të tregojnë vlerat e tyre.

Flamurtari po ju afrohet shumë në renditje…
Nuk e kemi presionin e vlonjatëve, pasi nuk shikojmë ata, por vetëm ekipin tonë. Jam i sigurt që do i lemë pas në renditje.