Meta-Basha 20 minuta kokë më kokë në presidencë

Përfundon takimi mes presidentit Ilir Meta dhe kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Takimi në presidencë vjen një ditë pas manifestimit në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", ndërsa burime për Syri.net shprehen se, kryefjalë e takimit ka qenë beteja për mbrojtjen e shteti ligjor dhe aktualiteti politik në vend.

Takimi i zhvilluar larg syrit të medias ka zgjatur rreth 20 minuta dhe mendohet të jetë diskutuar në lidhje me manifestimin që u zhvillua një ditë më parë dhe ato çfarë pritet të ndodhin në vijim.

Vetë presidenti Meta, si gjatë manifestimit ashtu edhe në intervistën e tij për "Çim Peka LIVE" në Syri Tv u shpreh se do të niste një sërë takimesh me forcat politike në vend.

Presidenti Meta deklaroi dje se do presë deri më 15 mars, kur pritet që palët politike të miratojnë Reformën Zgjedhore, dhe pastaj do të firmosë për shpërndarjen e Parlamentit, dhe për këtë ai u betua para mijëra qytetarëve të mbledhur në shesh.

“Nëse grushti i shtetit, organizata mafioze ndërkombëtare, nuk e merr seriozisht këtë dekret, unë e jap fjalën, në emër të këtij flamuri, për të cilin janë vrarë mijëra e mijëra dëshmorë e heronj, se pas datës 15 mars, kur të përfundojë Reforma Zgjedhore, që është një kusht, populli kuqezi që votoi sot për vdekjen e grushtit të shtetit, unë Ilir Meta betohem se atë dekret nuk do ta firmos këtu, por në mes të Parlamentit, atje, në mes të krimit. Unë i pari dhe gjithë populli kuqezi, jemi populli që vuajtëm më shumë se kushdo komunizmin, jemi një popull që jetën e japim, demokracinë jo.

Shumë prej jush mund të kenë pasur ndonjëherë vërejtje për tonin tim, por duhet të dini që unë në publik për hir të disa interesave shtetërore, nuk kam treguar as 10% të krimeve që kanë ndodhur kundër sovranitetit tuaj dhe Reformës në Drejtësi. Prandaj, ju siguroj se kjo pranverë kuqezi nuk ndalet më, deri në rivendosjen e plotë të sovranitetit tuaj. Tani do iu lutesha shumë, me qetësi dhe drejtësi, tani kam një lutje për të gjithë ju”, -tha Meta, /A.R, Syri.net