Debutimi te Kukësi, Orges Shehi: Titulli detyrim, ndaj Vllaznisë duam fitoren!

Trajneri i sapoemëruar te Kukësi, Orges Shehi ka folur para përballjes ndaj Vllaznisë.

Ish trajneri i Skënderbeut doli sot në konferencën e zakonshme për shtyp, ku vlerësoi shkodranët, por theksoi se do të kërkojnë fitoren, ndërsa shtoi se titulli kampion nuk është detyrim vetëm i tij, por i gjithë skuadrës verilindore.

"Në këtë fazë të kampionatit është tepër e vështirë, aq më tepër që luajmë ndaj Vllaznisë. Është një skuadër shumë e rrezikshme sidomos jashtë fushe. Ka vlerësimin tonë maksimal, do të bëjmë të pamundurën që të marrim fitoren. Koha është e shkurtër për tu përgatitur, por synojmë fitoren”, u shpreh ai.

KAMPIONATI “Ky është kampionati, kam besim të plotë tek ekipi, i kam parë dje. Është një situatë e tillë, që mezi presim të reagojmë. Kemi mungesa me peshë, plot tre lojtarë, bashkë me Abazajn, i cili është në pikëpyetje, mund të bëhen katër. Kjo na vë në vështirësi, por nuk qajmë mungesat, por do të futemi për fitore.

RIVALI – “Çfarëdo situatë të vijë kundërshtari, siç kemi ne objektiva kanë edhe ata. Pas rezultateve negative, do të kërkojnë të marrin fitoren, ndaj nesh do të japin maksimumin për të marrë një rezultat pozitiv.

KRAHASIMI – “Kukësi deri në momentet e fundit i ka fituar ndeshjet, po ta shikojmë gjithë ndeshjen nuk e ka dominuar asnjë skuadër. Kjo i ndodh çdo ekipi dhe besoj se kësaj i ka ardhur fundi. Nuk është momenti të krahasohem me ish-trajnerin Duro. Do të fokusohem më shumë te ana psikologjike, për ti treguar skuadrës që ka elementë cilësorë.

TITULLI – “Kukësi është ndërtuar për të fituar. Nuk është detyrim vetëm i imi, por i gjithë skuadrës, për të bërë më të mirën dhe për të mbërritur te titulli

 

Kujtojmë që Orges Shehi mori vendin e Shpëtim Duros, i shkarkuar të shtunën në mbrëmje, pas barazimit 2-2 në Durrës ndaj Teutës.

Përballja mes Kukësit dhe Vllaznisë do të luhet ditën e mërkurë në orën 17:00 në “Elbasan Arena”.