Frika nga koronavirusi/ FMN dhe Banka Botërore do takohen virtualisht gjatë pranverës

Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, duke përmendur shqetësimet në lidhje me përhapjen e shpejtë të koronavirusit, thanë të martën se ata do të miratojnë një "format virtual" për Takimet e tyre të Pranverës, në vend që të mblidhen fizikisht në Uashington.

Takimet pranverore të institucioneve, të planifikuara këtë vit në 17-19 prill, zakonisht sjellin rreth 10,000 zyrtarë të qeverive, gazetarë, njerëz të biznesit dhe përfaqësues të shoqërisë civile nga e gjithë bota në një zonë të ndarë me dy blloqe, në qendër të qytetit në Uashington ku ndodhen selitë e tyre, rapotron Reuters.

"Duke pasur parasysh shqetësimet në rritje në lidhje me virusin, Menaxhmenti i FMN dhe Grupi i Bankës Botërore dhe Bordet e tyre Ekzekutive, kanë rënë dakord të zbatojnë një plan të përbashkët për të përshtatur Takimet e Pranverës të FMN-së të Bankës Botërore për vitin 2020 në një format virtual," thanë drejtuesit e dy institucione në një deklaratë të përbashkët.

Përhapja e koronavirusit po zhyt ekonominë botërore në rënien e saj më të keqe që nga kriza globale financiare më shumë se 10 vjet më parë, paralajmëroi Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim të hënën.

Drejtori Menaxhues i FMN, Kristalina Georgieva dhe Presidenti i Bankës Botërore David Malpass, thanë se qëllimi i tyre ishte t'i shërbenin anëtarësimit të tyre në mënyrë efektive duke siguruar shëndetin dhe sigurinë e pjesëmarrësve dhe stafit.

Ata thanë që institucionet do të përdorin lidhjet virtuale për të mbajtur konsulta thelbësore për politikat, ndërsa vazhdojnë të ndajnë analizat e FMN dhe Bankës Botërore.

"Me këtë format të përshtatur, ne kemi besim se vendet tona anëtare do të jenë në gjendje të angazhohen në mënyrë efektive në çështjet e ngutshme ekonomike globale gjatë Takimeve Pranverore," thanë ata.

Përhapja e shpejtë e virusit kishte ngritur shqetësime brenda FMN-së dhe Bankës Botërore që ndërveprimet e ngushta midis njerëzve nga 189 vendet e tyre anëtare në Takimet e Pranverës, mund të kontribuonin pa dashje në zhvillimin e problemeve.