Ambasadorja e shkarkuar Vlora Çitaku/ Nuk bëhem mish për top në betejën mes qeverisë e Presidencës

Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku pas njoftimit për largim nga pozita e saj nga ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca ka reaguar nga Uashingtoni.

Çitaku ka njoftuar se para pak orësh, në të njejtën kohë me publikimin e lajmit në Facebook, e ka pranuar në e-mail njoftimin për kërkesën përmes së cilës Ministri i Punëve të Jashtme Glauk Konjufca ka kërkuar nga Presidenti i Kosovës largimin tim nga detyra si Ambasadore e Republikës së Kosovës në SHBA.

"Sigurisht, unë do ta respektoj kërkesën e Qeverisë së Republikës së Kosovës", ka shkruar Çitaku, transmeton Syri.net Kosova.

"Si Ambasadore jam emëruar përmes çelësit politik. Këtë e kam thënë shumë herë më parë, dhe është krejt e natyrshme që Qeveria e Kosovës të kërkojë zëvendësimin tim. Mirëpo, unë nuk do të lejoj që të bëhem mish për top në betejën mes Qeverisë dhe Presidencës", ka shkruar më tej Çitaku.