Banorja e prekur nga tërmeti, Ramës: Leri përrallat se ka shku atje ku nuk mban më

Kryeministri Edi Rama zhvilloi në Thumanë takim me banorët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit, ku ka paraqitur projektet dhe ka shpjeguar proceset e rindërtimit. Gjatë fjalës së tij, Rama ka thënë se, Thumana do të shndërrohet në një atraksion turistik, siç ka ndodhur me Pukën dhe Belshin.

“Përrallat e mia dalin, ka ndonjë që s’ka dalë, po se nuk i ka ardhur koha. Kur thoja që Puka do bëhet fshat turistik, pukjanët thonin “kur do ike ky palla i gjatë se boll na kanë pallur me rrena”. Shkoni në Pukë tani, në Belsh. Se këtu ka një liqen që është ngjitur me zonat e banuara. Dhe këtu ka një liqen, po ai është i shkëputur, po di që ai liqen aty është një arsye për të besuar se dhe Thumana do të bëhet një zonë ku njerëzit do thonë: “Kush do vijë në Thumanë për fundjavë”, tha ai.

Më pas fjalën e kanë marrë banorët, ndërsa një prejt tyre ka thënë se kishte dy shtëpi që i janë prishur dhe ka pyetur kryeministrin se çfarë do të ndodhë me to.

“Edi Rama të lutem lëri përrallat se na ka ardhur shpirti në majë të hundës”, tha banorja.

Pjesë nga biseda:

Zonja nga Thumana: Kisha dy shtëpi, kur aplikova më thanë se do marr një. U thashë jo. Pse Edi Rama ma ka blerë shtëpinë që e kam blerë për djalin? Nuk jam as në Lezhë, as në Durrës, as në Shkodër që fitoj para dhe t’ua lë atyre. I kam blerë për zgjerim. E kam djalin 40 vjeç, tjetrin 42. Ku t'i çoj unë fëmijët?

Rama: Janë të martuar ata?

Zonja nga Thumana: Të martuar janë.

Rama: Ku janë?

Zonja nga Thumana: Në Itali janë.

Rama: Aman se na tmerrove…

Zonja nga Thumana: Aman o Edi Rama hiqi përrallat se na ka ardhur shpirti në majë të hundës. E di si jemi bërë, duke folë me vete. Unë dua të di nga ju, se ashtu si unë ka shumë, kanë blerë shtëpitë me djersë dhe u ka dalë shpirti. Atje te toka që kam, kisha dy kasolle dhe m'i prishën, as tërmeti nuk m'i prishi faktikisht, por m'i prishën këta. Le të bëhet lulishte edhe kjo që shohim ne këtu në televizor, lum ne. Ama se çfarë do bëni, nuk e di, besim nuk kemi. Kur kemi parë fëmijën atje që na kërkonte ndihmë dhe nuk ishim të zotët ta ndihmonim, ishte tmerr. Nuk di çfarë të them. Dua të di unë që kam dy hyrje, pse të më humbi një, kurse ato shtëpitë e vogla atje marrin këtu dhe marrin dhe atje. Po unë një garazh e një shtëpi që kam me mund e me djersë, kam punuar 63 vjet.

Rama: E para e punës, nëse shtëpia e dytë është në emër të djalit...

Zonja nga Thumana: Jo unë i kam në emër të burrit.

Rama: Parimi është që ne do të rindërtojmë… Me shtëpinë e dytë kemi patur parasysh shtëpi që një ka vilë në Tiranë dhe një në vend tjetër..

Zonja nga Thumana: Jo, jo, nuk jemi nga ata…

Rama: Prit pra, se do të jap lajm të mirë.. prapë nuk do besosh.

Zonja nga Thumana: Prapë nuk besoj…

Rama: Ti beson herën tjetër…

Zonja nga Thumana: Po jam si ty…

Rama: Ti do marrësh të dy shtëpitë që siç i kishe…ja shaj tani..

Zonja nga Thumana: Shumë faleminderit….Edhe një gjë tjetër se dëgjova Ilir Metën atje…

Rama: Jo, jo, lëre mos na hap muhabetet, mos na sill ters në Thumanë, lëre tani…ishim mirë shumë, mos na sill ters në Thumanë, leja tersin presidencës.