Thumanën e rrënoi korrupsioni dhe tërmeti/ Rama: Do e bëjmë model

Kryeministri Edi Rama mori pjesë këtë të martë në një takim me banorët e Thumanës, ku janë publikuar edhe modelet e shtëpive të reja për personat e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit.

Ministrja Elva Margariti publikoi modelet e banesave. “Do te ketë 3 tipologji shtëpisë. 1+1 deri në 60 metra katrorë,  2+1, deri në 78 metra katrorë dhe 3+1. Banesat janë me kopshte të veçanta. Standardi do të jetë më i lartë se sa në banesat që janë shkatërruar. Do të ndërtohen edhe shkolla dhe terrene sportive në këto zona”, tha ministrja.

“Në maj nis puna, ndërsa brenda 2 viteve do të shohim një Shqipëri të re. Zonat e ndërtuara pas tërmetit do t’i marrim shembull për t’u ndërtuar edhe në zona të tjera”, tha ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj.

Më herët, kryeministri Edi Rama ishte në familjen e Sokol Mesitit, i cili ka përfituar bonusin e qirasë. Familja Mesiti është akomoduar në një banesë të përkohshme, deri në përfundim të shtëpisë së rindërtuar në zonën e re për zhvillim.

Kryeministri u shpreh se në fillim të majit Thumana do të jetë në kantier dhe do të bëhet model.

“Kemi bërë maksimumin për të bërë sa më shpejtë shumë gjëra ndonjëherë bashkë, se projektet duan kohën e vetë, po tani javën e ardhshme do të fillojmë me garën ndërkombëtare dhe besoj që në fillim të majit do jemi në kantier dhe Thumanën do ta bëjmë model. Do jetë komplet diçka tjetër”, tha Rama.

Për ironi, Thumana u rrënua jo vetëm nga tërmeti i 26 nëntorit, por edhe nga neglizhenca qeveritare dhe korrupsioni vrastar. Pas tërmetit të shtatorit, banorët vazhduan të jetojnë në banesat e rrezikshme deri ditën e katastrofës.