'Një popull që fle në demokraci, zgjohet në diktaturë'/ Meta shpërndan fjalimin e Biankut

Presidenti Ilir Meta ka publikuar në Facebook-un e tij fjalën e plotë të Ledi Biankut, ish-anëtar i Komisionit të Venecias dhe ish-anëtar i Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, mbajtur dje në manifestimin në bulevardin "Dëshmorët e Kombit.

Teksa e falenderon për pjesëmarrjen, presidenti Meta e vlerëson Biankun si një nga personalitetet më të shquara të së drejtës.

“Falenderoj një nga personalitetet më të shquara të së drejtës, të nivelit kombëtar dhe ndërkombëtar, Profesorin në Universitetin e Strasburgut, Ledi Bianku, ish-Gjyqtar i Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg dhe ish-anëtar i Komisionit të Venecias, i cili la të gjitha angazhimet e tij si përfaqësues i Këshillit të Europës, për t’ju bashkuar Manifestimit madhështor Mbarëkombëtar, për mbrojtjen e Kushtetutës. ‘Një popull që fle në demokraci, ka rrezik që një ditë të zgjohet në diktaturë’, – na kujtoi Profesor Bianku“, shkruan Meta, ndërsa veçon një frazë të Biankut:

“Një popull që fle në demokraci, ka rrezik që një ditë të zgjohet në diktaturë”..

Fjala e plotë e Ledi Biankut, dje në manifestim: 

Përshëndetje të gjithëve!

Ju falënderoj për mikpritjen! Falënderoj Presidentin Meta për ftesën!
Kur mora këtë ftesë që t’ju drejtohesha shkurtimisht sot, pyetja e parë që i bëra vetes ishte se çfarë arsyesh më bënin që të vija.
Katër arsye që lidhen me njëra-tjetrën mu duken të mjaftueshme që të vija të merrja fjalën para jush.

Arsyeja e parë është rëndësia e këtij tubimi: mbrojtja e Kushtetutës!
Më lejoni t’ju them se unë nuk kam ardhur të vendos se në debatin midis Presidentit dhe mazhorancës, ka të drejtë njëri apo tjetri. Nuk është as roli, as detyra ime dhe as vendi.

Por ajo që dua t’ju them është që debati Presidencë-mazhorancë për interpretimin e Kushtetutës nxjerr në pah një problem tjetër shumë më të madh, atë që pa një Gjykatë Kushtetuese të pavarur, me integritet dhe të zgjedhur në përputhje me Kushtetutën, kjo e fundit ngelet në fakt veçse një letër pa kuptim. Pa një Gjykatë që të imponojë zbatimin e Kushtetutës nuk kemi më forcën e ligjit që vepron, por kemi ligjin e forcës, përfshirë edhe në interpretimin e Kushtetutës, që nga data e zgjedhjeve deri te betimi i gjyqtarëve, duke iu imponuar madje edhe Komisionit të Venecias.

Kjo më çon tek arsyeja e dytë – në një vend ku as Presidenti nuk ka mundësi që pretendimet e Tij t’ia paraqesë për shqyrtim një organi të pavarur, imagjinoni çfarë mundësish kanë qytetarët e thjeshtë që pretendojnë mbrojtjen e lirive dhe të të drejtave të tyre kur ua shkel qeveria.

Ka nga ata që thonë se qëllimi i këtij tubimi është për pushtet, të këtij apo të atij politikani. Unë kam ardhur që t’ju them, që po, qëllimi është vërtetë për pushtet, por për pushtetin kushtetues që çdo njeri brenda këtij vendi duhet të ketë që t’i drejtohet gjykatave të pavarura kur iu shkelen të drejtat dhe liritë.
Ky është pushteti më i rëndësishëm në një shtet ligjor.

Arsyeja e tretë. Çfarë emri i vihet kësaj situate? Më lini t’i referohem zv.kryetarit të Gjykatës së Strasburgut, Robert Spano, i cili 10 ditë më parë në një tubim në Londër shprehej me këto fjalë: “Pushteti i pakontrolluar i shumicës, që nuk merr parasysh interesat e pakicës, rrezikon të bjerë në autoritarizëm. Me pak fjalë, zgjedhjet nuk krijojnë plotfuqi”.

Robert Spano nuk e kishte fjalën për Shqipërinë, por më gjeni ju një shtet në Europë ku kjo shprehje gjen zbatim më mirë se sa për situatën në Shqipëri. Në vitin 1986, Gjykata e Bashkimit Europian thoshte se “bashkësia europiane është një bashkësi e së drejtës, përderisa as shtetet dhe as institucionet e BE-së nuk mund t’i shpëtojnë kontrollit të pajtueshmerisë të akteve të tyre me aktin themeltar”.

Në Shqipëri ka më shumë se dy vjet, që aktet e Qeverisë dhe të Parlamentit nuk kontrollohen dot nga askush, as kur shkelen liritë, as kur mohohen të drejtat. Po ju pyes ju, dhe po pyes edhe përfaqësuesit e vendeve anëtare dhe të institucioneve të BE-së në Shqipëri: A mund të themi se kemi një bashkësi dhe shtet të së drejtës në Shqipëri në këto situata?

Arsyeja e katërt që më shtyu të vija sot në Tiranë është pyetja që i bëja vetes: Në këtë situatë absurdi kushtetues, ku nuk ka gjykata që të interpretojnë ligjin dhe të kontrollojnë shkeljet e tij, aq më tepër në një kohë kur stina e protestave kundër kapjes së gjyqësorit ka shpërthyer edhe në vende të tjera të Europës, si në Poloni, Hungari.

Pyesja veten si do të reagojnë bashkëkombësit e mi? Isha i shqetësuar për këtë reagim, sepse më kujtohej një shprehje e një prej juristëve më të famshëm të shekullit XX-të, René Cassin, i cili thoshte: “Një popull që fle në demokraci, ka rrezik që një ditë të zgjohet në diktaturë”.

Po kur ju shoh sot sa shumë jeni mbledhur gëzohem që një thirrje për të mbrojtur Kushtetutën dhe liritë gjen këtë lloj reagimi prej jush dhe them se vlerat e këtij kombi për liri, demokraci dhe institucione të pavarura nuk kanë vdekur.
Këto ishin katër arsyet që mendova përpara se të vija.
Sot kur ju shoh, kuptoj se ka edhe një arsye tjetër dhe kjo arsye jeni ju, janë thirrjet tuaja për liri e demokraci dhe për gjykata që t’ju mbrojnë të drejta.
Pa këto gjykata liritë vdesin.

Unë mund t’ju uroj, duke iu thënë Zoti iu bekoftë, por kjo është në dorë të Zotit!
Por në qoftë se ju them liria qoftë me ju dhe drejtësia qoftë me ju, mbajeni mend që kjo është në dorën tuaj!