Ilir Daja vlerëson kundërshtarin por është objektiv: Na duhet fitorja ndaj Luftëtarit!

Skënderbeu do të presë ditën e mërkurë në shtëpi Luftëtarin, në ndeshjen e vlefshme për javën e 25-të në Kategorinë Superiore.

Në prag të kësaj sfide, para mediave ka dalë trajneri i korçarëve, Ilir Daja i cili gjatë fjalës së tij vlerësoi maksimalisht kundërshtarin, pavarësisht formës jo të mirë që ata po kalojnë.

Gjithashtu, Daja u shpreh se fitorja ditën e nesërme është shumë e rëndësishme, pasi rikuperojnë në tabelë, por edhe rritet edhe gjendja psikologjike e ekipit.

“Është një periudhë e mirë që po kalojmë në këtë fazë të kampionatit. Përveç rezultateve pozitive vlen të theksohet edhe loja e mirë që kemi bërë. Megjithatë duhet të jemi me këmbë në tokë, pasi kemi ndeshje çdo 3-4 ditë. Duhet të vazhdojmë ecurinë pozitive në lojë. Në çdo ndeshje duhet të kërkojmë të marrim pikët maksimale, në mënyrë që të paktën të marrim 3 pikët, sidomos në fushën tonë.

Luftëtari? Në dy ndeshjet e para, njëra është në favorin tonë një në disfavorin tonë. Duhet t’i vlerësojmë për futbollin që bëjnë. Kanë individë që nëse iu lë hapësira mund të të dëmtojnë.

Ne e kemi analizuar ndeshjet që kemi bërë, i kemi harruar ato ndeshje. Motivimi duhet të jetë maksimal si në ndeshjet e tjera. Kampionati këtë sezon ka treguar se diferencat mes ekipeve nuk janë shumë të mëdha. E kemi të gjithë ekipin në dispozicion, kush tregon formë të mirë mund ta aktivizojmë.

Për të marrë fanellën e titullarit duhet të djersish në stërvitje. Ne më mirë të përqendrohemi te ndeshja e nesërme, pasi kampionati ka treguar se me dy fitore ngjitesh e pjesa e sipërme, por nëse bën hapa fals mund të rrëshqasësh shumë shpejt. Duhet ta vlerësojmë maksimalisht kundërshtarin, për të marrë fitoren.

Fitorja? 3 pikët janë shumë të rëndësishme sepse rikuperojmë më shumë në tabelën e klasifikimit dhe vazhdojmë me një gjendje psikologjike akoma më të mirë.