Egbo largon euforinë nga Tirana: Flamurtari nuk duhet marrë lehtë

Tirana ka kaluar me sukses dy sfida zjarri me Partizanin dhe Kukësin e tashmë e pret një ndeshje e vështirësisë më të ulët, por po aq e rëndësishme për të shkuar drejt titullit numër 25 kampion.

Bardheblutë ditën e nesërme udhëtojnë drejt Vlorës për t’u ndeshur me Flamurtarin pa pretendime, por të gatshëm për të ndëshkuar në çdo moment.

Para kësaj sfide ka folur trajneri i Tiranës, Emanuel Egbo, i cili si gjithmonë tregohet shumë i rezervuar para gazetarëve.

Nuk ka aspak eufori pas “manitas” së derbit dhe Flamurtarin e vlerëson po aq sa Partizanin.

Tirana vjen me disa mungesa në këtë takim, por Egbo nuk e ka shumë problem, sepse mendon se edhe ata që do të futen në fushë janë po aq të vlerësuar sa ata që mungojnë.

Mungesat - “Do të jetë pak e vështirë. Mendoj se lojtarët që do futen në lojë për të zëvendësuar ata që mungojnë janë gati për të dhënë 100%. E kam thënë herë pas here që çdo lojtar brenda ekipit është i rëndësishëm. Edhe ata që luajnë, edhe ata që janë në stol. Kemi nevojë për të gjithë. Ky është një shans për ata që do luajnë nesër, për të treguar veten”.

Ndeshja – “Normalisht është një ndeshje e fortë, është njësoj si ndeshja me Partizanin. Janë 3 pikë brenda, pavarësisht se ndeshje ndaj Partizanit ishte derbi. Gjithsesi vlente 3 pikë. Flamurtari është një ekip që duhet vlerësuar maksimalisht. Janë ekip me eksperiencë dhe nuk duhet marrë lehtë. Duhet ta vlerësojmë dhe të futemi në fushë për të marrë më të mirën. Është ekip që duhet vlerësuar. Nuk na ka marrë vetëm ne pikë. I ka marrë Bylisit, Laçit, Partizanit. I ka hapur probleme shumicës së ekipeve. Ka ndërthurje mes çunave të rinj dhe atyre me eksperiencë”.

Tirana për titull- “Do e them në ndeshjen e fundit të kampionatit. Kur të ketë edhe 1 ndeshje për të luajtur, atëherë do të them objektivin. Ka edhe 12 javë, është një rrugë e gjatë. Do t’i marrim ndeshjet një dhe nga një. Do shikojmë punën tonë, nuk do të merremi me të tjerët”.