Drejtuesit e Napolit vendosin për të ardhmen e Hysajt

Elseid Hysaj është kthyer në një nga lojtarët kryesorë te Napoli, që nga koha kur drejtimin e këtyre të fundit e mori Genaro Gattuso.

Mbrojtësi shqiptar në shumicën e ndeshjeve qëndroi në stol gjatë kohës kur ekipi drejtohej nga Ancelotti, por tani çdo gjë ka ndryshuar.

Tekniku i ri i ka dhënë besim Hysajt duke e aktivizuar titullar dhe shqiptari ia ka shpërblyer me paraqitje pozitive.

Me shumë mundësi Hysaj do të largohet nga skuadra napolitane në verë, por gjithçka mund të ndryshojë nëse në krye të ekipit vazhdon të qëndrojë Gattuso edhe për sezonin e ardhshëm.

Në këtë situatë, drejtuesit e Napolit kanë vendosur që të rinovojnë kontratën me 26-vjeçarin edhe për 3 vite të tjera, në mënyrë që të mos e humbin me parametra zero, por të fitojnë sadopak nga kartoni i futbollistit.

Megjithatë, nëse Gattuso vendos t’i kërkojë drejtuesve që ta mbajnë shqiptarin edhe për sezonin tjetër, atëherë gjithçka mund të ndryshojë dhe Hysaj të vazhdojë të jetë pjesë e Napolit edhe vitin e ardhshëm.