Koronavirusi bllokon spitalet në Itali, kërkohet ndihmë nga sektori privat për më shumë krevate!

Mediat vendase njoftojnë se deri këtë të Martë, janë regjistruar në Itali 2,041 persona të infektuar me koronavirusin dhe 52 të vdekur.   Aktualisht problem më i madh që po haste veçanërisht në rajonin më të prekur, Lombardi, janë mbipopullimet e spitaleve me qytetarë të prekur nga virusi ose që janë në process ekzaminimi. Lombardia cilësohet si epiqendra e epidemisë, me 1,254 raste dhe 38 vdekje.

Në këtë situatë autoritet i kanë bërë thirrje sektorit privat të shëndetësisë që t’u vijë në ndihmë.  Spitaleve private në rajon i është bërë thirrje që të japin hua krevatet tek sistemi publik i kujdesit të shëndetësisë,  duke krijuar reparte të vogla për pacientë që janë testuar pozitiv me Covid-19. Ndërkohë, kryebashkiaku i Milanos Beppe Sala i bëri thirrje qeverisë italiane dhe Europës për ndihmë financiare.

“Milano është qytet që ka dhënë gjithnjë dhe në këtë moment ndodhet në pozitë për të kërkuar”, tha ai.

Ndikimi i virusit është ndjerë më shumë në rajonet e pasura të Lombardisë dhe Venetos, ku ndodhet qendra financiare e Milanos dhe qendra turistike e Venecias. Industria e madhe e turizmit në Itali pritet të ketë pësuar goditje të madhe, për shkak të valës së madhe të anulimeve në hotele dhe ndërkohë që shumë vende përfshirë SHBA, kanë këshilluar kundër udhëtimit në Itali.