Sormani: Morëm një shuplakë të fortë në derbi

Trajneri i Partizanit, Adolfo Sormani, doli sot në konferencën për shtyp, pas humbjes së rëndë në derbi ndaj Tiranës, teksa foli për sfidën ndaj Teutës, që do të zhvillohet ditën e nesërme në “Selman Stërmasi”.

Si është situata në skuadër, pas asaj humbje të thellë në derbi?

Morëm një shuplakë të fortë në derbi. Pavarësisht se rezultati nuk përligji atë që skuadra dha në fushë, megjithatë tashmë do të shikojmë përpara. Ky është futbolli.

Çfarë do të vlerësoni si pozitive në derbi?

Të luash për afro 75 minuta me 10 lojtarë dhe të jesh 10 me 1 me goditje këndi, mendoj se është diçka pozitive. Skuadra bëri një paraqitje të mirë dhe dha gjithçka në fushën e lojës.

Sa janë komplikuar shanset e Partizanit për titullin, a qëndron më ky objektiv?

Sigurisht që humbja në derbi ka qenë një goditje e rëndë përsa i përket objektivit për fillimin e titullit kampion. Detyra jonë kundrejt klubit dhe tifozëve do të jetë të luajmë deri në momentin e fundit dhe të japim gjithçka për të gjitha ndeshjet e mbetura në kampionat.

Çfarë po ndodh me Partizanin në fazën mbrojtëse? Shkakton autogola dhe bën gabime shumë të thjeshta…

Nëse do të kisha një përgjigje nuk do të bënim. Jam dakord me këtë konstatim. Përsa i përket golave të pësuar, ne kemi gabimet tona, pavarësisht asaj që prodhojnë kundërshtarët.

Sa e vështirë është ndeshja me Teutën?

Së pari, është një ndeshje e vështirë, si të gjitha ndeshjet e tjera që ne do të luajmë. Së dyti, ne vijmë nga një humbje në derbi që mund të ketë ndikuar në aspektin psikologjik. Dhe së treti, Teuta është një skuadër mjaft agresive dhe dinamike, ka lojtarë cilësorë në gjirin e saj. Do të jetë një ndeshje e luftuar.

Pritet ndonjë ndryshim në formacion në krahasim me derbin?

Do të shikojmë gjendjen e lojtarëve dhe të grupit në tërësi. Por mendoj që duhet të jemi konkret dhe efikasë në rastet që do të na paraqiten, për ta mbyllur takimin në favorin tonë.

Do t’i besoni sulmin Braunit si në derbi?

Më vjen keq për Braun. Luajti vetëm 18 minuta, ishte një zëvendësim i detyruar. Në ato 18 minuta ai bëri një paraqitje mjaft pozitive. Duhet të zgjidhja mes tij dhe Bardhit, duke parë që Bardhi është më dinamik dhe ka një tjetër profil në fushën e lojës, duke vrapuar shumë, u detyrova të nxirrja Braunin.

A është Telushi në 100% të kapacitetit fizik?

Sot Telushi ka zhvilluar një stërvitje mjaft të mirë, bashkë me pjesën tjetër të skuadrës, megjithatë ditën e nesërme do të konfirmohet gjendja e tij, nëse do të jetë i gatshëm për të luajtur.

Po gjendja e Trashit si është?

Ditën e djeshme ka filluar përgatitjet në palestër. Vjen pas një dëmtimi tepër të rëndë. Për momentin ai është nën vëzhgimin e përgatitësit atletik, teksa do të ndiqet hap pas hapi. Po punojmë shumë që Trashi të mos humbasë kondicionin fizik, teksa në momentin që do të rikthehet të jetë në të njëjtin nivel siç edhe ka qenë.

I duheni gjykimit ndaj Teutës?

Nuk dua të flas për këtë. Dua t’i përgjigjem vetëm pyetjeve që më bëhen për futbollin.