Parashikimi/ Ja si ndryshon moti në orët në vazhdim

Deri në mesditë vendi ynë është ndikuar nga kushte të paqëndrueshme meteorologjike me mot të vranët dhe reshjet e dobëta të shiut të cilat kanë nisur në veriperëndim.

Moti i vranët do të vijoj deri në fund të ditës dhe deri në orët e pasdites i gjithë territori do të shoqërohet nga reshjet e shiut të herëpashershme me intensitet kryesisht mesatar ndërsa në veriperëndim deri të lartë, bën të ditur Shërbimi Meteorologjik Ushtarak.

Reshjet me intensitet mesatar vijojnë deri në mesnatë në të gjithë vendin ndërsa me intensitet të lartë në jug dhe një pjesë të qendrës.

Për shkak të erës së fortë jugore temperaturat sot në vlerat e mesditës arritën nga 17ºC në zonat malore deri dhe në 24ºC në ato të ulëta dhe ato bregdetare.

Por si do të vijoj moti për ditën e nesërme?

Deri në orët e para të mëngjesit vijon moti i vranët shoqëruar me reshje shiu me intensitet të ulët e mesatar. Më pas deri në fund të ditës moti do të jetë me alternime kthjellimesh e vranësirash shoqëruar me reshje shiu lokale dhe afatshkurtra në momentin e zhvillimit të vranësirave.

Temperaturat në të dyja vlerat (minimale dhe maksimale) pritet të pësojnë rënie.

Ato minimale parashikohen nga 3ºC në relievet malore deri në 5ºC në ato të ulëta e bregdetare ndërsa ato në vlerat e mesditës parashikohen nga 8ºC në zonat malore deri në 16ºC në ato të ulëta dhe ato bregdetare.