Vrasja e dyfishtë në Durrës, ja çfarë thotë Policia

Policia e Durrësit ka dalë në një informacion paraprak lidhur mbi ngjarjen e rëndë të ndodhur në mbrëmje në lagjen nr. 14 në Shkozet, në Durrës, ku mbetën të vrarë me armë zjarri dy persona.

Durrës/Informacion paraprak.

Më datë 02.03.2020, rreth orës 18:55, në lagjen nr. 14, Nishtulla, Durrës, në rrugën afër tregut të perimeve, në rrethana akoma të paqarta kanë humbur jetën shtetasit D. Sh, 35 vjeç dhe A. A,   dyshohet me armë zjarri.

Menjëherë në vendngjarje kanë mbrritur forca të shumta policie, si dhe grupi hetimor.

Janë ngritur pika kontrolli dhe është rrethuar zona në një perimetër të gjerë.

Pika kontrolli janë ngritur edhe nga DVP Tiranë e Fier në aksin rrugor Durrës-Tiranë e Durrës-Lushnjë.

Në mbështetje të Policisë vendore janë nisur dhe grupe të FNSH-së së Tiranës, për krehjen e zonës.

Paraprakisht dyshohet se është qëlluar nga një automjet në lëvizje. Shërbimet e Policisë kanë mundur të identifikojnë targat dhe janë vënë në ndjekje të autorëve.

Për zbardhjen e ngjarjes, në ndihmë të grupit hetimor po shkojnë specialistët e Krimeve të Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet në vendngjarje, duke grumbulluar dhe fiksuar çdo provë sado të vlefshme që do t’i shërbejë zbardhjes së ngjarjes.