Frika nga koronavirus, Zvicra pezullon kampionatin

Kampionati i futbollit në Zvicër do të jetë pushim deri në fund të muajit mars. Ky ka qenë vendimi që ka dalë nga mbledhje a klubeve të dy kategorive më të larta në futbollin zviceran, të cilat kanë vendosur që si masë sigurie ndaj përhapjes së koronavirusit të ndalin aktivitetin e tyre, siç kishin bërë këtë fundjavë.

Në një konferencë për shtyp, drejtuesit e Ligës në Zvicër bënë të qartë se 20 klubet profesioniste të dy ligave kryesore kishin qenë kundër zhvillimit të ndeshjeve pa spektatorë si masë emergjence, ndaj ishte vendosur që më mirë të shtyhej rifillimi i kampionatit deri në javën e fundit të muajit mars, duke shpresuar që situata atëherë të ishte qetësuar.

Kjo do të ngjishte kalendarin e kampionatit në mënyrë të jashtëzakonshme, por klubet kishin qenë dakord që të luanin çdo 3-4 ditë për periudhën dymujore që u mbetej, deri më 31 maj. Ajo është data kur të gjitha kampionatet në Europë janë të detyruara të mbyllen nga UEFA meqë ky është vit ku zhvillohet një Kampionat Europian.