VIDEO/ Kapexhiu: Mallkuar qofshin ata që shpikën shuplakat

Në foltoren e vendosur në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" u ngjit edhe artisti Bujar Kapexhiu. Në fjalën e tij, Kapexhiu u shpreh se ndodhet në tubim kundër atyre që kërkojnë të shkelin e të tjetërsojnë Kushtetutën e vendit.

Pjese nga fjalimi i Bujar Kapexhiut:

"Jemi mbledhur sot këtu për dy veprime për dy ide, për dy detyra: të mbrojmë dhe të mos pranojmë. Të mbrojtjes së ligjit kundër së keqes, gënjeshtrës dhe babëzisë. Nuk kam qenë kurrë anëtar i një partie politike dhe nuk do të jem kurrë. Në çaste të veçanta jam ndjerë demokrat dhe socialist, në ato çaste kur është fjala për të mirën e Shqipërisë. Përherë në jetë kam hedhur hapin sipas një devize: jam me të gjithë, jam kundra të gjithëve.

Sot jam me të gjithë ju që jeni në mbrojtje të Kushtetutës, në mbrojtje të dokumentit themeltar të shtetit të lirë dhe demokrat. Jam kundër të gjithë atyre që tentojnë ta shkelin, deformojmë dhe falsifikojnë dokumentin themeltar. Ne morëm më të keqen e diktaturës dhe po shpikim më të keqen e demokracisë.

Edhe nëse unë nuk e kam zgjedhur, e ka zgjedhur një fqinji im, apo dikush tjetër. Unë kam ngrënë 1 milion shuplaka që vendi të ishte ky. Pse duhet të themi shuplaka për humbësit dhe nuk themi puthje për fituesit? Mallkuar qofshin ata që shpikën shuplakat. U bëj thirrje intelektualëve që të gjithë së bashku të mbrojmë atë që është e drejtë, të mbrojmë Kushtetutën.

Jemi një vend njëpartiak. Jemi një vend me progres ekonomik të gënjeshtërt. Jemi një vend i varfër, i rrënuar, i sfilitur dhe në braktisje çdo ditë drejt boshllëkut. Politika është e mbushur me pinokë gënjeshtarë. Mos u gënjeni, e vërteta mbrohet vetëm nga zëri juaj, vullneti juaj, shpirti juaj dhe po të jetë nevoja edhe nga grushti juaj. Të gjithë së bashku të veprojmë me Kushtetutën.

Politikanëve të gjithë fytyrave, të shkurtër apo të gjatë, të gjithë atyre që janë të gënjeshtërt, hajdutë dhe kriminelë, të braktisin karriget e vjedhura se ndryshe do të përballen me zemërimin e sovranit. Të na lënë të lirë dhe të qetë, të jetojmë dhe gëzojmë begatinë e këtij vendi ku duam të vdesim.

Ky është një podium që e ka ngritur Presidenti Ilir Meta, herë tjetër ka qenë Edi Rama, Sali Berisha, Lulzim Basha për të njëjtat arsye për të mbrojtur demokracinë. Unë dua, kam një ëndërr ku njerëzit nuk i japin një shuplakë sepse duan një jetë më të mirë. Sa bukur do të ishte që sot kur të kthehemi në shtëpi të premtojmë në heshtje brenda vetes, unë nuk do godas'.