Ledi Bianku: 4 arsyet që më sollën në Tiranë për këtë tubim

Manifestimin e thirrur nga presidenti i Republikës e hapi ish-anëtari i Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, Ledi Bianku.

Gjatë fjalës së tij të shkurtër ai dha katër arsyet që e bënë t'i bashkohej këtij tubimi.

Sipas tij, në një vend ku nuk ka Gjykatë Kushtetuese nuk mund të flitet për demokraci dhe mbrojtje të të drejtave të njeriut.

"Kur mora ftesën që t’iu drejtohesha sot, pyetja e parë që i bëra vetes ishte se çfarë arsyesh më bënin të vija. Katër arsye m’u dukën të mjaftueshme, e para rëndësia e këtij tubimi, mbrojtja e Kushtetutës. Nuk kam ardhur të vendos se në debatin mes presidentit dhe mazhorancës ka të drejtë njëri ose tjetri, por dua të them se ky debat për Kushtetutën nxjerr një problem tjetër shumë të madh, atë që pa një Gjykatë Kushtetuese të pavarur, Kushtetuta ngelet një letër pa rëndësi.

Arsyeja e dytë, në një vend ku as presidenti nuk ka mundësi që pretendimet t’ia paraqesë një organi të pavarur, imagjinoni çfarë mundësish kanë qytetarët e thjeshtë. Ka nga ata që thotë se qëllimi i këtij manifestimi është për pushtet, unë kam ardhur të them që po është për pushtet, por për pushtetin kushtetues. Ky është pushteti më i rëndësishëm mbi një shtet ligjor.

Arsyeja e tretë, çfarë emri i vihet kësaj situate? Në Shqipëri, ka mbi dy vite që aktet e qeverisë dhe Parlamentit nuk kontrollohen nga askush. A mund të themi se kemi shtet të së drejtës në Shqipëri, në këto situata?

Arseja e katërt është pyetja që i bëra vetes. Në këtë situatë absurdi, ku nuk ka gjykata që të kontrollojë ligjin, pyesja veten si do reagojnë bashkëkombasit e mi. Më kujtohej një shprehje e një juristi të shquar: “Një popull që fle në demokraci, ka rrezik të zgjohet në diktaturë”.

Vlerat e këtij kombi për liri, demokraci, nuk kanë vdekur. Sot kur ju shoh kuptoj se ka dhe një arsye tjetër që kam ardhur dhe kjo arsye jeni ju".