Drejtori i Kukësit zbulon pse u zgjodh Orges Shehi mes 3 kandidatëve për trajner

I pranishëm në konferencën e prezantimit të trajnerit Orges Shehi ishte dhe drejtori sportiv i Kukësit, Nderim Nexhipi.

Në prononcimin e tij përballë gazetarëve të pranishëm në sallën e konferencave të stadiumit “Air Albania”, Nexhipi zbuloi se klubi ka qenë në bisedime me 3 trajnerë, por në fund është vendosur për Shehin.

“Në emër të klubit i urojmë mirëseardhje Shehit. Është një kapitull i ri për klubin tonë. Kemi pasur disa bisedime, ishin tre kandidatë. Vendosëm për trajnerin që është këtu. Si klub kemi biseduar dhe kemi vendosur. Po marrim një trajner që ka eksperiencë si lojtar në Superiore. E nisi si trajner te Skënderbeu. U tha që Gjici i mbështet trajnerët e rinj. Nuk është rastësi kjo përzgjedhje e trajnerit Shehi në klubin tonë. Morëm një trajner me ambicie, që po vjen në një klub që pretendon për titullin kampion.

Gesi (Orgesi) ka qenë një kampion. Besoj se eksperiencën e vet do e përcjellë te çunat e ekipit. Kemi rënë dakord për deri në fund të sezonit. Uroj të kemi një ecuri shumë të mirë.

Skuadra nuk është ku duhet tani nga ana psikologjike. Shpresoj ta kalojmë këtë krizë të vogël, çdo ekip e kalon një periudhë të tillë gjatë një sezoni. Uroj të japin të gjithë maksimumin për të arritur objektivit. Do ta ndihmojmë Gesin në çdo aspekt”, deklaroi Nexhipi.