Naftëtarët: Na gënjyen për pagat, do futemi sërish në grevë urie

Pasi qëndruan për 11 ditë në grevë urie, ata vendosen ta ndërpresin pasi iu premtuan pagat e prapambetura, ndërsa ditën e sotme kanë dalë sërish në protestë ku deklarojnë se vetëm një grup i vogël ka marrë një pjesë të pagave të prapambetura.

Punëtorët shprehen se dhënia e pagave që u përfol është mashtrim, ndërsa kanë paralajmëruar rifutjen në grevën e urisë.

“Kanë dhënë një lëmoshë më tepër, jo pagën e plotë. Është një tallje për ne. Tani po presim 3 juristë të shoqërisë civile me të cilët do të konsultohemi. Plani ynë janë pagat dhe rifillimi i punës, asgjë më tepër. Asgjë tjetër nuk kërkojmë. Nuk kemi pasur asnjë kontakt me përfaqësuesit e kompanisë”, tha njëri nga punëtorët.

“Për mua është një mashtrim, kam marrë pjesë në grevë urie, kaluan disa paga por jo të gjitha as për të gjithë punonjësit. Se si qëndron problemi ta zgjidhi qeveria, ne kërkojmë pagat e prapambetura dhe rifillimin e punës, janë kërkesa bazike. Topi është midis kompanisë dhe shtetit. Kalimi i pagave që është thënë për mua është mashtrim, nuk mund të vendosim numër se kush do të marrë rrogë. Do protestojmë deri sa të zgjidhen kërkesat tona. Kompania dhe shteti të sqarojnë problemin tonë. Nëse sot nuk ka asnjë lloj sinjali, futemi sërish në grecë urie, nuk ka shanse të tjera. Kam një kredi prej 8 milionë lekësh, më ka vajtur kësti 8 milionë e 800 mijë lekë, kush do të mi paguajë këto, kompania?”, tha punëtori tjetër. /faxnews