Orges Shehi prezantohet si trajner i Kukësit: Besoj te titulli

Orges Shehi është zyrtarisht trajneri i ri i Kukësit. 43-vjeçari durrsak ka firmosur me klubin verilindor deri në verën e vitit 2021.

Ai është prezantuar ditën e sotme nga administratori Lavdërim Gjici dhe drejtori sportiv Nderim Nexhipi.

Si futbollist (portier), Shehi arriti të shkruante historinë në futbollin shqiptar, duke fituar shumë trofe dhe duke marrë pjesë në grupet e Ligës së Europës, me fanellën e Skënderbeut, ku më pas debutoi edhe si trajner.

Gardiani durrsak ka qenë gjithashtu edhe pjesë e ekipit Kombëtar.

Në konferencën për shtyp të prezantimit, Shehi deklaroi se shpreson që sukseset e arritura si futbollist t’i përsërisë sërish, tashmë në rolin e trajnerit. 

Çfarë iu bindi që të merrnit Kukësin në këtë situatë, kur kanë mbetur edhe 12 ndeshje nga fundi i kampionatit dhe cila është kontrata juaj?

Suksesi është determinant për një trajner. E zgjodha Kukësin sepse është një skuadër e madhe. I ka dhënë tonin këto vitet e fundit kampionatit shqiptar. Është arritje personale. Më shtyu cilësia e klubit dhe lojtarëve. Është e rëndësishme të dish grupin që ke. Kam qenë pa skuadër këto kohë, isha si analist në një studio dhe e kam ndjekur Kukësin dhe kampionatin javë pas jave. E kam thënë dhe më parë që Kukësi është kampion dhe kjo është ajo që më bindi.

A e shton presionin objektivi për të fituar titullin kampion?

Normal ku ka pritshmëri, ka presion. Duhet të jetë pozitiv presioni dhe i manaxhueshëm. Unë personalisht nuk kam asnjë lloj presioni dhe jam besimplotë që Kukësi do të dalë kampion.