ISHP: Në Shqipëri kemi grip A dhe B, por ende jo koronavirus

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu deklaroi edhe sot nga salla e Kuvendit se në Shqipëri nuk ka ende asnjë rast me koronavirus. "Duke ftuar edhe një herë qytetarët të mos kenë panik, - tha ministrja nga foltorja  -i siguroj se të gjitha hallkat e sistemit shëndetësor po marrin masat e duhura sipas planeve të miratuara nga ekspertët, për të përballuar një epidemi të mundshme. Por deri tani Shqipëria është e paprekur nga koronavirusi," theksoi Manastirliu.

Ndërsa, Instituti i Shëndetit Publik raportoi se në javën e tetë të 2020 vërehet se prirja e infeksioneve respiratore paraqitet e qëndrueshme.

Sipas ISHP: bazuar në të dhënat e Buletinit të Gripit të Institutit të Shëndetit Publik, infeksionet respiratore kanë aktivitet sezonal normal. Gjithashtu referuar të dhënave nga Buletini, deri tani, 322 mostra  janë konfirmuar  me viruse të gripit.

Nga të dhënat e raportimit sipas survejancës së infeksioneve akute respiratore të sipërme dhe të poshtme të sistemit ALERT, survejancës sentinel të sëmundjeve të ngjashme me gripin në rrethin e Tiranës dhe survejancës së infeksioneve respiratore akute të rënda në spitalet kryesore në të gjithë vendin si dhe raportimit rutinë, vërejmë se prirja e infeksioneve respiratore paraqitet e qëndrueshme në javën e tetë të 2020, me aktivitet sezonal normal me intensitet të lartë.

Vazhdon qarkullimi i viruseve të tipit A dhe B të gripit. Që nga fillimi i sezonit deri tani, në total mbizotëron virusi i tipit A, nëntipi A/H3. Virusi i tipit A ka mbizotëruar çdo javë deri në javën e peste ndërsa që nga java e gjashte vërehet mbizotërim i virusit të tipit B.

Në vendin tonë në javën e tete të vitit 2020 vërehet një prirje në rënie e numrit të infeksioneve respiratore të sipërme dhe të poshtme dhe ky numër është 19% më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Në javën e tete të 2020 aktiviteti i IRA paraqet: prirje të qëndrueshme, aktivitet gjeografik të përhapur,  intensitet të lartë, impakt mesatar.

Prej javës së 43 (21-27 tetor 2019) deri në javën e tetë (17 – 23 shkurt 2020) janë grumbulluar 899 mostra nazofaringeale nga qendrat e survejancës.

Përpara pranimit në laborator kryhet rregullisht monitorimi i cilësisë së mostrës sipas protokolleve standarte. Të gjitha mostrat e ardhura janë testuar me metodën molekulare të Real-Time RT PCR.

Nga testimi i tyre në 322 (37.5%) mostra janë identifikuar viruset e gripit, nga të cilat: 199 (20.4%) virusi i tipit A dhe 142 (17.1%) virusi i tipit B. Nga 199 viruset e tipit A 75 (37.7%) janë të nëntipit A/H1pdm09 dhe 114 (57.3%) të nëntipit A/H3 ndersa 10 (5%) janë në procesin e nëntipizimit. 

MSHMS dhe ISHP u bëjnë apel qytetarëve të mbrojnë veten dhe të tjerët duke ndjekur këshillat si më poshtë:

Lani duart rregullisht
Pastroni hundët me shami njëpërdorimshme
Mbuloni hundën dhe gojën kur kolliteni ose teshtini
Evitoni ambientet e mbipopulluara dhe me shumë njerëz
Ruani një temperaturë të qendrueshme brenda banesave tuaja.
Ajrosini vazhdimisht ambientet ku rrini.

Kur jeni të sëmurë:

Qëndroni në shtëpi, kufizoni daljen në ambiente të ftohta.
Konsumoni ushqime të ngrohta
Pini sa më shumë lëngje
Kufizoni kontaktet direkte dhe indirekte (nëpërmjet objekteve)
Mos e nënvlerësoni gripin. Sa herë nuk ndjeheni mirë, konsultohuni me mjekun.