Tre të arrestuar, 2 në kërkim, për vrasjen nga mina të punëtorit në guroren e Krujës

Tre persona janë arrestuar për vdekjen e punëtorit në guroren e Krujës me eksploziv në dorë dhe plagosjen e një tjetri.Dy persona të tjerë janë shpallur në kërim, njoftoi Policia e Shtetit.

Viktima që e humbi jetën duke punuar quhej Asllan Jaupaj, 57 vjeç dhe i plagosuri, Gani Demnushi. Gurorja në Nikël është në pronësi të Kelmend Muratajt.

Policia tha se u arrestuan në flagrancë, përfaqësuesi ligjor i gurores në Krujë dhe dy punonjës të firmës si dhe u shpallen në kërkim 2 shtetas, me detyrë administrator dhe drejtues teknik.

Në vijim të ngjarjes së ndodhur më datë 1 mars 2020 në fshatin Kurcaj të Krujës, duke punuar në një gurore të licencuar, gjatë montimit të minave elektrike humbi jetën shtetasi A. J., 55 vjeç dhe mbeti i plagosur shtetasi G. D., 55 vjeç, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë arrestuan në flagrancë shtetasit:

N. J., 42 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë përfaqësues ligjor i firmës.

B. C., 32 vjeç, banues në Kurcaj, Krujë

G. D., 48 vjeç, banues në Tiranë.

Po ashtu, u shpallën në kërkim policor shtetasit: K. M., 34 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë administrator, si dhe shtetasi A. K., 66 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë drejtues teknik.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprat penale "Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë" dhe "Mbajtja pa leje e lëndëve plasëse".