Barcelona humbi, por Pique kritikon Realin: Më i dobëti që kam parë

E çuditshme, por mbrojtësi i Barcelonës di të ngacmojë edhe kur del nga “Bernabeu” me një humbje 0-2.

Gerard Pique ka ngacmuar rivalët historikë, teksa shprehet se në pjesën e parë në fushë ka qenë vetëm një skuadër.

“Në pjesën e parë, kam parë Realin më të dobët që kur unë kam ardhur për herë të parë për të luajtur në këtë stadium. Kishim kontrollin e lojës dhe krijuam disa raste. Nëse do të kishim qenë të saktë për t’i finalizuar, do t’ua bënim të pamundur ndeshjen”, tha mbrojtësi i Barçës.

Më tej, Pique pranon se edhe katalanasit kanë gjëra për të përmirësuar.

“Me lojën që bëjmë, ne duhet të kemi topin në zotërim dhe të shfrytëzojmë çdo rast që krijojmë, pasi ndodh që jemi në inferioritet numerik në prapavijë në aksionet e kundërshtarit. Në pjesën e dytë, mund të bënim më shumë, pasi Reali na ushtroi shumë presion.

Vinicius? Isha në inferioritet numerik, sepse ai nuk ishte lojtari që duhet ta merrja unë në markim dhe prita deri në moment të fundit për vendimin që do merrte.

Kampionati? Ka ende shumë ndeshje përpara dhe do të provojmë deri në fund që të rikuperojmë në tabelë”, ka deklaruar Pique.