Akuza e ish-deputetes: Fëmija 5 vjeçar humbi jetën në kanalin e hapur nga firma e kontraktuar nga Veliaj

Humbja tragjike e jetës së një fëmije në lagjen Shkozë në Tiranë, i cili u gjet i mbytur pas dy javësh në një kanal, ka sjellë edhe reagimin e ish-deputetes Albana Vokshi.

Në një shënim në profilin e saj në facebook, Vokshi akuzon Bashkinë e Tiranës për këtë humbje, pasi fëmija ka rënë në një kanal të hapur nga punimet që po kryhen për unazën Lindore të Tiranës.

‘Fëmija ka humbur jetën si rezultat i punimeve pa kushte teknike e pa standartet e kërkuara për sigurinë në punë nga bashkia

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Shkozë, ku ka humbur jetën një fëmijë i vogël 4 vjec, i cili rezultonte i humbur prej disa ditësh.

Mediat njoftuan që fëmija kishte rënë në kanal, e vetëm sot ështê gjendur trupi i tij. Asnjë detaj tjetër nuk u dha për ngjarjen.

Nga informacionet që kanë ardhur nga familjarët e tij dhe banorët e Shkozës, ngjarja është akoma më e rëndë.

Fëmija i vogël me inicialet K.H, që humbi jetën në Shkozë e që i përket një familje Rome të strehuar atje, ka rënë në një kanal të bërë nga punimet që po kryhen për unazën Lindore të Tiranës, nga Bashkia e Tiranës.

Fëmija ka humbur jetën si rezultat i punimeve pa kushte teknike e pa standartet e kërkuara për sigurinë në punë.  Ka disa kohë që punimet janë ndërprerë, por për banorët nuk është marrë asnjë masë për të siguruar kushtet teknike të sigurisë.

Si prind dhe në emër të Partisë Demokratike, i bëj thirrje Prokurorisë, të nisë menjëherë hetimet për përgjegjësit e humbjes së jetës së fëmijës së vogël. Përgjegjësit duhet të vihen para përgjegjësisë penale, kushdo qofshin dhe kudo qofshin!’