'Haradinaj ka 40 varre në shtëpi'/ Meta, Ramës: Mos e provoko më Kosovën se do e marrësh përgjigjen nga....

Presidenti Ilir Meta i ka bërë një paralajmërim të fortë kryeministrit Rama, ndërsa i tha që të mos provokojë më ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, pasi do ta marrë përgjigjen nga Shqipëria.

Në një konferencë për shtyp, ku denoncoi ligjin për dividentin, presidenti theksoi se Ramush Haradinaj mund të ketë probleme si deputet, por se është hero i të gjithë shqiptarëve, duke shtuar se Rama është “turpi i tyre”.

“Misioni i gruas së Bilalit është përçarës dhe jo vetëm brenda vendit. Një nga objektivat e tij është të krijojë përçarje mes shqiptarëve dhe rajonit. Gruaja e Bilalit e ka kaluar me kohë vijën e kuqe, edhe në raport me çështjen ndërkombëtare, po e provokon shumë Haradinajn. Kush e përkrahu e para taksën 100% të Haradinaj? Gruaja e Bilalit. Pastaj kur i thanë që ke një fotografi të bërë këtu në kundërshtim me ligjin dhe ca gjëra të tjera se gruaja e Bilalit nuk mbanë mend se çfarë bën në jetë  e saj, pastaj ndryshoi mend. Po i them të mos e provokojë më Ramush Haradinajn.

Si politikan mund të ketë 500 probleme, por Ramush Haradinaj, për të gjithë shqiptarët, në Kosovë, Shqipëri e gjithë botën, është një hero i gjallë. Ndërsa gruaja e Bilali, për të gjithë shqiptarët është turpi i turpit dhe të mos merret më me familjen e Ramush Haradinajt, se familja e Ramush Haradinajt në oborrin e saj ka të hapur 40 varre, 40 kushërinj që kanë dhënë jetën për Kosovë dhe të mos e provokojë më atë se mund ta marrë përgjigjen nga Shqipëria. Ne nuk mund të pranojmë lojëra të tilla përçarëse, provokuese”, tha ndër të tjera presidenti Meta.

Ditën e sotme, kryeministri Edi Rama iu rikthye sulmeve ndaj ish kryeministrit Ramush Haradinaj, teksa u shpreh se: "Me paturpësi Ramushi ka nisur baltosjen e Albin Kurtit! Albini mund të jetë gjithçka po kurrë nuk është shërbëtor i Serbisë! Uroj të mos tutet prej sulmeve të ulëta për heqjen e taksës që shkatërroi reputacionin ndërkombëtar të Kosovës dhe viktimizoi Serbinë në sytë e botës! Kurrë nuk është dëgjuar një idiotësi më e madhe se sa predikimi që taksa do sjellë njohjen e Kosovës nga Serbia dhe asgjë s’i ka bërë më shumë dëm Kosovës,se sa ajo taksë e kthyer nga një thirrje për vëmendje ndaj shkeljeve të CEFTA-s nga Serbia, në një litar në fytin e Kosovës!

Albin Kurti është në rrugën e duhur! Heqja e taksës do jetë dita e parë e tij si kryeministër në zyrë, jo më si lider opozite në zyrën e kryeministrit! Do t’i duhet të përballet me etiketën e “tradhëtarit” po ani, ajo etiketë i dallon udhëheqësit e paqes nga statujat e luftës". /A.R, Syri.net