U-19/ Tirana fiton Kupën e Shqipërisë, mposht në finale Shënkollin në ‘Air Albania Stadium’

Tirana fiton për herë të parë në historinë e grupmoshës U-19 Kupën e Shqipërisë. Triumf historik ky për bardheblutë e Bledar Devollit.

Bardheblutë mposhtën Shënkollin me rezultatin 3-2 në finalen e zhvilluar në “Air Albania Stadium”.

Pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura. Ndërkohë në fragmentin e dytë të lojës, konkretisht në minutën e 60-të, ishte autogoli i Ukut që kaloi në avantazh bardheblutë.

8 minuta më vonë Elezi dyfishoi shifrat.

Në minutën e 71-të, bardheblutë kishin shansin ideal për t’i çuar shifrat në 3-0, por Stafa gaboi nga pika e bardhë e penalltisë.

Skuadra e Shënkollit provoi të rihapte sfidën në minutën e 86-të, kur Marku shënoi në portën bardheblu.

Vetëm 1 minuta zgjati festa e skuadrës së Shënkollit, teksa Stafa shënoi golin e 3-të.

Në fundin e lojës, Shënkolli shënoi edhe golin e dytë me anë të Hoxhës, duke bërë që takimi të përfundonte me rezultatin 3-2.